Berisha: Nuk kam fyer asnjë ambasador, i kërkoj sërish Gonzatos direktivën e BE për ligjin e barazisë gjinore

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë një replike në parlament deklaroi se nuk ka fyer asnjë ambasador, por ka shprehur vetëm qëndrimet e tij lidhur me ligjin për barazinë gjinore. Berisha i kërkoi sërish ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, që të tregojë se cila direktivë europiane mbështet terminologjinë e “përkatësisë së shumëfishtë gjinore”, pasi asnjë direktivë e BE-së nuk e përmban një koncept të tillë dhe të gjitha bazohen në binaritetin “burrë dhe grua”.

Berisha theksoi se është kundër çdo forme diskriminimi apo pabarazie, por kundërshton çdo përpjekje për të ndryshuar konceptin antropologjik dhe kushtetues të gjinisë në Shqipëri. Ai shtoi se interpretimet ndryshe janë përgjegjësi e atyre që i bëjnë.

REPLIKA E PLOTË

T’i përgjigjesh një shpifësi të denatyruar moralisht dhe në integritetin e tij njerëzor, nuk ia vlen të humbasësh kohë.

Por ajo që dua të them edhe njëherë, nuk kam bërë asnjë fyerje ndaj asnjë ambasadori, por kam shprehur mendimet e mia këtu, siç do t’i shpreh haptas në çdo rast.

Kam kërkuar nga ky parlament, dhe jashtë këtij parlamenti, nga ambasadori Gonzato, të na tregojë se cilën direktivë, se ai ka mbështetur këtë ligj dhe zonja Marta Kos deklaron se ai ka mbajtur qëndrimin e BE. Plotësisht dakord.

Por përsëri, cila direktivë e BE- BE funksionon me direktiva- cila direktivë e BE përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore.

Ta shoh, ta di, sepse ekspertë të shquar që unë njoh, më kanë konfirmuar se asnjëra nga direktivat e BE nuk kanë këtë terminologji, por janë që të gjitha në binaritet,flasin për burrin dhe gruan.

Kjo është e tëra.

Çdo lloj interpretimi sui generis është problemi i atij që e bën.

Por unë përsëri dhe përsëri deklaroj këtu se jam kundër çdo forme diskriminimi dhe pabarazie, por jam në mënyrë kategorike kundër çdo përpjekje për të riformatuar antropologjinë njerëzore, binaritetin e gjinisë, Kushtetutën e Shqipërisë, kodet e vendit, të cilat sanksionojnë këtë binaritet si themel juridik të rendit kushtetues të Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Balluku nuk mund të fshihet as pas frikës që ka kapur “Palloshin” që e ka marrë peng!

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar sërish ndaj zv.kryeministrja Belinda Balluku, …