Deputeti i PD, Belind Këlliçi, jashtë parlamentit, u shpreh se mazhoranca po zhvillon “një farsë” për të kaluar projektligjet e rëndësishme pa debat, duke përmendur ligjin për barazinë gjinore, aktin normativ për ndërtimet dhe çështje që lidhen me energjinë e ujin.
Këlliçi tha se, mbledhja e kryesisë së grupit parlamentar të PS-së është pjesë e një skenari të parapërgatitur për të justifikuar përjashtimin e kreut të PD, Sali Berishës dhe për të shmangur diskutimin publik mbi çështjet që prekin qytetarët shqiptarë. Ai theksoi se opozita kërkon debat, transparencë dhe përfaqësim të interesave reale të qytetarëve.
“Vendimi është politik i Partisë Socialiste, në vijim të asaj sjellje që kanë patur në këto dy muaj, që duan të kalojnë pa debat, pa diskutim, pa transparencë për qytetarët shqiptarë, qoftë programin qeverisës, qoftë çështjet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve, çështjet që kanë të bëjnë me ujin, me energjinë elektrike, çështje kaq e rëndësishme siç është ligji për barazinë gjinore, apo akti normativ për çështjet e ndërtimit e të tjera. Tani që ne po flasim, është duke u zhvilluar një farsë, një mbledhje farsë e kryesisë së grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Janë njoftuar në pushimin prej 30 minuta të gjithë deputetët e Partisë Socialiste që të vijnë në seancë. Do të shihni një skenë të parapërgatitur nga Taulant Balla, ku do të kërkohet përjashtimi qoftë i zotit Berisha apo i ndonjë deputeti tjetër të PD-së për fyerje ndaj ambasadorit të BE-së, që kjo nuk ka ndodhur, është një inskenim i organizuar qoftë nga ministri Gogu apo qoftë nga Taulant Balla. Do të shikoni justifikime të panumërta për të kaluar seancën direkte në votim. Dhe do të shihni që ligjet e rëndësishme të paraqitura ditën e sotme, projektligjet, do të kalojnë të gjitha pa debat dhe do të kalojnë në votim pasi po priten që të mblidhen deputetët e PS-së. Ky është një skenar i parapërgatitur.
Ne e kemi thënë me dhjetëra herë. E rëndësishme është që unë po jua them tani që të dini që këtu ka dy palë qartazi të ndara në qëndrimet e tyre në raport me interesin e qytetarëve. Është opozita dhe PD-ja që do debat, do diskutim, do transparencë, do të flasë për hallet dhe problemet e qytetarëve”, tha Këlliçi.
Gazeta RD