Kryetari i PD, Sali Berisha në konferencën me gazetarët u ndal edhe te miratimi i ‘Ligjit për Barazinë Gjinore’, që u miratua ditën kur Gjykata Supreme e SHBA sanksionoi dy gjini.
Kjo sipas Berishës, ndodh vetëm në një parlament me votë të vjedhur, ku përmes tij i vihet kazma familjes shqiptare.
Berisha tha se, ata e votuan, por kur e kuptuan se ata nuk mund të mbronin para shqiptarëve ligjin që shkonfiguronte shtyllën kryesore të ekzistencës së kombit, familjen, vendosën ta votojnë pa debat, morën pushim gjersa i mblodhën në të katër anët deputetët që nuk i kishin dhe realizuan votimin siç e patë mbrëmë.
“Së dyti, duhet të rikthehem edhe njëherë ligjit që i vuri kazmën në themel shtyllës më kryesore të ekzistencës së kombit shqiptar, që është familja.
E them këtu, e përsëris, e thashë edhe dje në parlament, është familja dhe mbi të gjitha familja shqiptare, ajo që ka mbartur ekzistencën e këtij kombi, mbijetesën e tij në kushtet më të jashtëzakonshme.
Në të njëjtën ditë kur Gjykata Supreme e SHBA, 9 vite pas gjykimit të Gjykatës Supreme të Francës, sanksionon dy gjini, mashkull, femër, burrë, grua dhe përjashton njohjen e çdo gjinie tjetër, në parlamentin e dhunës, të votës së vjedhur, votohet ligji në të cilin gjinia zëvendësohet me përkatësinë e shumëfishtë gjinore.
Zëvendësohet me identitetin gjinor me diversitet të gjerë.
E gjitha kjo kalon pa debat në pabesi, në kundërshtim me marrëveshjen e arritur po dje paradite që ligji të afrohet dhe debati të zhvillohet jo pas orës 1 të natës, por në një kohë kur qytetarët mund ta ndiqnin.
Dhe ata e votuan, por kur e kuptuan se ata nuk mund të mbronin para shqiptarëve ligjin që shkonfiguronte shtyllën kryesore të ekzistencës së kombit, familjen, vendosën ta votojnë pa debat, morën pushim gjersa i mblodhën në të katër anët deputetët që nuk i kishin dhe realizuan votimin siç e patë mbrëmë”, tha Berisha.
Gazeta RD