Nga Ndriçim KULLA
Dukshëm, këmbëngulja kryeneçe për ta kaluar në fytyrë të urrejtjes popullore që shkaktoi ky ligj, tregon lakuriq nervin tradhtar dhe hakmarrës që ka fryrë Edi Rama në mendjen e tij zezonë: së pari kundër popullit të tij, të cilin kuptohet qartë që nuk e konsideron fare. E së dyti, urrejtjen dhe hakmarrjen që ka ndaj vlerave liberale dhe konservatore që Trump udhëheq në botë, e që opozita dhe shoqëria jonë e shëndoshë civile po përpiqet t’i mbrojë në Shqipëri. Janë “dy Perëndime”, një term shumë i përdorur në gjuhën e sotme të filozofisë, që janë vendosur në një ndarje të papajtueshme me njëri-tjetrin.
Asgjë nuk dëshiron ta ndalë më në udhën e tij të shpëtimit. Jo. Edi Rama është duke i provuar të gjitha truket, të gjitha dredhitë e tradhtitë, vetëm që t’i shpëtojë dënimit të vet. Pasi e provoi si një qurravec hipokrit t’i afrohej Trump me lobingje të gjithëfarësoji, tani që heshtja dhe anashkalimi amerikan është i ftohtë dhe i mprehtë deri në palcë, nga kompleksi i inferioritetit kaloi në atë të superioritetit. Filloi të bëjë si i fortë dhe moskokëçarës, duke pallavruar nëpër forumet evropiane të organizuara nga Sorosi, bëri shaka të qëllimshme për t’u bërë viral si për të thyer akullin e marrëdhënieve me amerikanët, me atë mentalitetin pervers se edhe të flasësh keq, prapë vëmendje merr. E ka provuar këtë taktikë edhe me aspekte të tjera, si p.sh. ai i Diellës shtatzënë me 83 fëmijë. Dhe së fundi, si për të sfiduar një kalë beteje të trumpizmit, siç është ligji “ka vetëm dy gjini”, kërkon të bëjë bujë për të keq, me votimin të enjten të ligjit të aq kundërshtuar masivisht nga të gjitha shtresat e shoqërisë, ligjit të paketuar bukur me fjongon e “barazisë gjinore”.
Jo, nuk ka asnjë shpjegim tjetër veçse përdorimi pervers i gjithë shqiptarëve, për të kaluar me dhunë dhe imponim nga jashtë, në emër të një agjende radikale të majtësh të lajthitur si Soros e kompani, një ligj që ata as se ndjejnë të vetin, as i bën më të përparuar e social, por përkundrazi, është pjesë e agjendës së Ramës për të marrë flamurin e uokizmit në Evropë, atë flamur që e ka shqyer e po përpiqet ta shqyejë Trump në Amerikë dhe në Evropë. Ndryshe nuk shpjegohet urgjenca me të cilën rikthehet ky ligj i masakruar në plebishit nga i gjithë opinioni ynë publik, përveç ca kokrrave militantësh të ideve të majta radikale që shprehin nëpër ekrane çdo gjë që ka servirur dhe servir uokizmi në Amerikë dhe Kanada, asgjë kombëtare ose të përshtatshme me Shqipërinë dhe historinë e saj. Ndryshe nuk shpjegohet kokëfortësia për kalimin e tij me forcë, kur as shoqëria, as rendi ynë i nevojave më primare të kësaj shoqërie, nuk e pranon si problem. Atëherë kujt i duhet ky ligj, kur askush s’e kërkoi e s’e kërkon?
Sa për aktivistët e të drejtave të grave dhe LGBT, duhet të sqarojmë qartë dhe prerë dy gënjeshtra të mëdha dhe manipuluese. Jo, nuk janë vetëm institucionet fetare të këtij vendi ato që e kanë kundërshtuar me forcë këtë ligj. Ato mund të jenë më të ndjeshmet, si një zë përfaqësues dhe me të drejtë i besimtarëve të tyre, por kundërshtimi ka qenë masiv, si nga elita intelektuale, ashtu edhe nga rinia dhe studentët nëpër rrjetet sociale. Së dyti, jo, nuk është e vërtetë që ne, si shtet sekular, të mos u lejojmë njerëzve dhe besimtarëve tanë të kenë zërin dhe votën e tyre, për probleme të tilla kaq të rëndësishme. E kjo nuk duhet të ngatërrohet me ligjbërjen. Vlerat morale dhe ligjore në një demokraci na detyrojnë të dëgjojmë zërin e njerëzve në demokraci, pavarësisht në janë besimtarë apo ateistë, se përndryshe biem në liberalizëm jo liberal, pikërisht siç paraqiten në ligjërimet e tyre të gjithë uokistët dhe përfaqësuesit e tyre aktivistë të grave e fëmijëve në Shqipëri: mbrojnë të drejtat e grupeve të margjinalizuara dhe atakojnë si radikalë këdo që është kundër tyre, duke harruar se janë radikalët më të mëdhenj që njerëzit dhe besimtarët, që në bazë të parimeve dhe vlerave të tyre për jetën, kanë të gjithë të drejtën të kenë mendimin dhe të drejtat e tyre.
Kështu, u kalua në një mohim radikal të këtyre të drejtave, kur u dërgua nga këta biçim aktivistë një letër ku kërkohej ndihmë për kalimin e një ligji, të cilin e kishin kundërshtuar të gjitha institucionet fetare. E kuptoni se çfarë dystandardësie e fëlliqur qëndron në themel të çdo iniciative të tyre. Pra, radikale, imponuese, është shumica dërmuese e shoqërisë që nuk e do ligjin, dhe jo një përqindje e tyre. Pra, ne nuk duhet t’i japim zë e përfaqësim shumicës së shqiptarëve të çdo lloj besimi, por 1 përqindëshit që përkrah gjininë e shumëfishtë? Çfarë barazie është kjo, çfarë diskriminimi radikal të shumicës ata kërkojnë?
Nuk na habit aspak kjo mënyrë sjelljeje, është tipike metoda uokiste e margjinalizimit të shumicës dhe atakimit të saj si radikale, e prapambetur, fetare e kështu me radhë. Gjuha e tyre përçmuese nuk është gjuhë urrejtjeje? Ndërkohë që gjuhë urrejtjeje, sipas tyre, është kjo jona, që është thjesht një shprehje e lirë e një të drejte tonë qytetare. Atëherë, për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë dystandardësi të tyre, le të bëjmë ushtrimin më të thjeshtë e më të drejtpërdrejtë të një demokracie: le t’ia lëmë popullit të drejtën të flasë me anë të referendumit! Kështu i japim përgjigje edhe mazhorancës që fshihet pas moskuptimit të ligjit dhe gjoja mbrojtjes së barazisë gjinore! Po edhe këtu, asnjë habi, sepse kjo sjellje e tyre dhe kuotimi i barabartë që i propozojnë biznesit shqiptar në punësimin e burrit dhe gruas, është një imitim banal i atyre praktikave uokiste DEI, ose të gjithëpërfshirjes, që tani po hidhen poshtë si dëmtuese e shkatërrimtare të ekonomisë së tregut në Amerikën e Trump.
Është ky ligj një zbatim praktik i atij marksizmi kulturor që, si virus, po qe se aprovohet, do të fillojë të shkatërrojë në vite të gjitha fushat e shoqërisë shqiptare. E ky është fakt, evidencë empirike në çdo vend ku është zbatuar, sepse shkatërron parimin bazë të ekonomisë së tregut — meritokracinë, cilësinë dhe efikasitetin. Barazia gjinore është mundësi dhe shanse të barabarta, jo kuota të barabarta — një parim i dëmshëm marksist, një parim që qëndron në thelb të uokizmit, që antagonizmin e luftës së klasave e ka zëvendësuar me antagonizmin midis gjinive. Ja pse, në një të ardhme, ky ligj është shkatërrimtar në barazinë ekonomike dhe nuk ka të bëjë aspak me një mbrojtje të grave. Të vendosësh kuota të barabarta do të thotë të mos vlerësosh njëlloj një djalë të ri apo një burrë, nga përgatitja, kultura, profesionalizmi. Përkundrazi, kur kuota e meshkujve është arritur, vendi i punës i takon një gruaje që nuk i ka aspak këto vlera e merita. Çfarë është kjo vallë, barazi gjinore apo diskriminim mashkullor?
Përveç familjes, edukimit, raporteve ligjore, ky ligj shkatërron edhe raportet gjinore në punësim dhe dëmton cilësinë e punës dhe efikasitetin e bizneseve. Atëherë, për çfarë dreq barazie e ka emrin? Dukshëm, këmbëngulja kryeneçe për ta kaluar në fytyrë të urrejtjes popullore që shkaktoi ky ligj, tregon lakuriq nervin tradhtar dhe hakmarrës që ka fryrë Edi Rama në mendjen e tij zezonë: së pari kundër popullit të tij, të cilin kuptohet qartë që nuk e konsideron fare. E së dyti, urrejtjen dhe hakmarrjen që ka ndaj vlerave liberale dhe konservatore që Trump udhëheq në botë, e që opozita dhe shoqëria jonë e shëndoshë civile po përpiqet t’i mbrojë në Shqipëri. Janë “dy Perëndime”, një term shumë i përdorur në gjuhën e sotme të filozofisë, që janë vendosur në një ndarje të papajtueshme me njëri-tjetrin. Ne jemi në anën e drejtë të historisë, do ta vazhdojmë luftën, edhe sikur ligji të kalojë. Edi Rama, vasal i majtizmit radikal dhe Soroizmit, nuk ka për ta fituar kurrë këtë luftë që i shpalli shqiptarëve me miratimin e këtij ligji absurd dhe shoqëri-shkatërrues. Koha e popullit fiton gjithmonë.
Gazeta RD