Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka reaguar ndaj propozimit të mazhorancës për të mbajtur jashtë Kuvendit liderin e opozitës, Sali Berishën.
Në një deklaratë për media, Gjekmarkaj e cilëson këtë veprim si aktin më të turpshëm politik të socialistëve dhe një shfaqje të hapur servilizmi ndaj pushtetit absolut, që synon të mbyllë zërin e opozitës dhe të zhvendosë vëmendjen nga dështimet e qeverisë Rama.
Deklaratë për media
Abuzimi i socialistëve me pushtetin dhe me Kuvendin ka arritur kulmin! Me arrogancën e një mazhorance të frikësuar nga e vërteta, ata po përpiqen të fikin opozitën dhe të mbyllin gojën e çdo zëri ndryshe.
Propozimi për të mbajtur liderin e opozitës, Sali Berishën, jashtë Kuvendit, është një akt politik i turpshëm dhe një demonstrim servilizmi ndaj pushtetit absolut per te spostuar vemendjen nga turpet qe i kanë vënë per fund!
Kjo është shfaqja më e pastër e një mazhorance që ka humbur çdo ndjenjë mase e dinjiteti.
Ky është një akt servil nga partia më antieuropiane në historinë e Shqipërisë partia e dikurshme jugosllave, sovjetike e kineze, partia e izolimit, që për gjysmë shekulli mbajti vendin të mbyllur pas hekurave të diktaturës! Dhe sot, pikërisht ajo parti guxon t’i flasë për Europën Partisë Demokratike asaj force që thyeu izolimin, që shndërroi “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” në moton e përhershme ne perpetum mobile të jetës politike shqiptare, dhe që riktheu aleancat historike të vendit me Perëndimin.
Ironia është e dhimbshme, por e vërteta është e qartë: ata nuk kanë asnjë lidhje me Europën, përveçse si maskë për pushtetin. Ata janë korrupsioni, pas tyre shkon shëmtia.
Sot Parlamenti është marrë peng. Fjala e lirë është në sulm, dhe e vërteta përndiqet si armike. Por duhet ta dinë mirë: zëri i opozitës nuk do të shuhet, dhe Sali Berisha do të mbetet simboli i qëndresës, i së vërtetës dhe i rrugës europiane të Shqipërisë.
Shqipëria nuk do të kthehet më në errësirë. Demokracia do të rikthehet, dhe e ardhmja e këtij vendi është vetëm një: Shqiptaret do te reagojne!
Shqipëria si gjithë Europa por ate nuk e bejne dot mbeturina bolshevike e bejne qytetaret e ketij vendi!
Agron Gjekmarkaj
NenKryetar i PD dhe i Kuvendit
Gazeta RD