Kundër ligjeve që sfidojnë vlerat dhe identitetin shqiptar!

Nga Bujar Leskaj

Dje maxhoranca kaloi në Kuvend pa diskutime projektligjin “Për Barazinë Gjinore”, duke kryer një atentat të rëndë ndaj Familjes shqiptare, traditës sonë, Kushtetutës dhe opozitës. I paprecedent ishte sulmi i deputetëve socialist ndaj kryetarit të PD-së, Prof. Dr. Sali Berisha, vetëm pse mbrojti familjen shqiptare dhe vlerat e saj në debatet mbi këtë projektligj. Socialistët kërkuan me një brutalitet të skajshëm përjashtimin e Berishës nga Kuvendi, njëlloj si inkuizitorët në Mesjetë çonin njerëzit e ditur në turrën e druve, pse kundërshtonin dogmat e tyre.

Sikurse e ka cilësuar me të drejtë gazetari i talentuar Rezenbrik Serjani, “Dje sekti Rama dhe enturazhi i deputetëve servilë e të pakarakter votuan me krenari ligjin për barazinë gjinore, i cili në përmbajtje është ligji më diabolik i këtyre 34 viteve, që i është bërë shoqërisë dhe familjeve shqiptare. Ky ligj është derivim dhe zgjatim i agjendave sorosiane për shkatërrimin e familjes, duke thyer e shkatërruar ekuilibrat e familjes tradicionale. Ai ka për qëllim shkatërrimin e familjes si bërthama e një shoqërie të fortë dhe të shëndetshme”.

I. Ligj që mbjell konfuzion në realitetin shoqëror shqiptar

Ligji “Për Barazinë Gjinore” përfshin terma të rinj, tejet sfidues dhe të paqartë për kontekstin juridik dhe kulturor shqiptar, si “identitet gjinor”, “shprehje gjinore” dhe “vetëpërcaktim gjinor”. Problematika themelore e ligjit është koncepti “Përkatësi e shumëfishtë gjinore”, i cili lexohet në thelb si “ gjini e shumëfishtë“.

Këto koncepte, siç theksohet nga KNFSH, mbështeten në teori ideologjike që relativizojnë dallimin biologjik dhe antropologjik mes burrit dhe gruas. Ky relativizim e largon ligjin nga qëllimi i tij fillestar, garantimi i barazisë faktike mes grave dhe burrave dhe e shndërron në një instrument për të riformuluar kategoritë themelore të identitetit njerëzor.

Për shoqërinë shqiptare, ku familja dhe rolet gjinore kanë një dimension të rëndësishëm tradicional, mungesa e qartësisë shndërrohet shpejt në problem. Nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe kulturore dhe sociale.

Në vend që të trajtojë pabarazitë reale në tregun e punës, arsimin apo pjesëmarrjen publike, projektligji përpiqet të vendosë një barazi “artificiale” që nuk përkon me strukturën e shoqërisë shqiptare.

Barazia artificiale nuk duhet të zëvendësojë vlerat dhe traditat shqiptare. Një legjislacion i tillë, i shkëputur nga realiteti ynë social dhe kulturor, krijon tension mes modernitetit normativ dhe strukturave tradicionale, mbi të cilat mbështetet rendi social shqiptar.

Ligji rrezikon të dobësojë rolin e familjes si bërthamë e stabilitetit moral e social. Duke zhvendosur fokusin nga mbrojtja e familjes biologjike dhe edukimit në vlera, tek konceptet individualiste të vetëpërcaktimit gjinor, ligji krijon një hapësirë për konflikte vlerash.

Nga këndvështrimi i komuniteteve fetare, kjo përbën një kërcënim identitar dhe moral, sepse interpretohet si tendencë për të redefinuar gjininë, martesën, familjen dhe rolet gjinore. KNFSH thekson: “Familja, e ndërtuar mbi bashkimin natyror të burrit dhe gruas, është themeli i qëndrueshmërisë së shoqërisë; çdo ndryshim ligjor që e relativizon këtë parim cenon edhe formimin shpirtëror të fëmijës.” Në këtë kuptim, projektligji mund të interpretohet si një hap drejt një kulture të individualizmit moral, që e vendos zgjedhjen subjektive mbi rendin e natyrshëm dhe moral të bashkëjetesës.

II. Ligj që ofron një model të izoluar të individit

Ndryshimi i kuptimit mbi gjininë hap rrugën për krijimin e identiteteve të pafundme, që e largojnë qytetarin nga kuptimi dhe uniteti i vet themelor bio-psiko-shpirtëror. Sipas kësaj, ligji nuk kontribuon në integrimin shoqëror, përkundrazi, mund të favorizojë individualizmin ekstrem, dobësimin e lidhjeve familjare, sociale dhe komunitare. Në shoqërinë shqiptare, ku familja dhe rrjetet komunitare luajnë rol kyç për mbështetjen e individit, kjo paraqet një paqartësi serioze.

Në vend që të konsolidojë unitetin ndër-gjenerues dhe ndër-komunitar, ligji rrezikon të promovojë një model “të izoluar” të individit që kërkon vetëm të vetëpërcaktohet, pa marrë parasysh kontekstin kulturor, fetar dhe familjar ku jeton.

Edhe nëse parimet janë të mira (p.sh. barazia gjinore në punësim, në arsimin, në qasje ndaj shërbimeve), problemi themelor është se projektligji nuk shpjegon me qartësi se si do të implementohet në sistemin shqiptar, cilat mekanizma kontrolli do të ketë, si do të mbrohen familjet, fëmijët dhe besimet. Nga këndvështrimi i KNFSH-së, mungon dialogu real me komunitetet fetare dhe familjet dhe ka pak hapësirë për konsultim të gjerë publik për ndryshimet me impakt kulturor.

Ky aspekt i munguar i transparencës dhe pjesëmarrjes publike rrit shqetësimin se ligji po miratohet pa reflektuar në realitetin social të vendit, pa kapacitet institucional për zbatim, dhe pa mbrojtje adekuate për ata që nuk duan ndryshime radikale.

Ligji për barazinë gjinore përballet me tensionin mes modernitetit (ku rolet gjinore duhet të jenë fleksibël dhe pa pengesa kulturore) dhe traditës (ku ka norma të miratuara prej breznive, komuniteteve fetare, familjeve shqiptare).

Në këtë kuptim, ligji duhet të jetë një instrument për përmirësimin e situatës reale p.sh. punësimi i grave, aksesi në shërbime, mbështetja e familjeve me fëmijë, dhe jo një mjet për të ristrukturuar në mënyrë të njëanshme normat sociale dhe kulturore.

III. Afron anti-vlerat e “wokizmit” dhe i përplas me traditën shqiptare

Në vlerësimet e fundit të shoqërisë civile dhe të komuniteteve fetare, është vënë re se ligji për barazinë gjinore përmban elemente që reflektojnë tendenca të qarta të asaj që në diskursin bashkëkohor perëndimor quhet “wokizëm”. Ky term nënkupton një qasje ideologjike që shkon përtej barazisë faktike, duke synuar riformatimin kulturor dhe moral të shoqërisë nëpërmjet gjuhës ligjore, arsimit dhe komunikimit publik.

Në thelb, wokizmi përpiqet të zhvendosë kuptimin tradicional të kategorive si “gjini”, “seks”, “familje”, “rol shoqëror”, duke i konsideruar këto si konstruksione relative dhe të ndryshueshme, sipas dëshirës individuale.

Në vende me tradita të konsoliduara kulturore si Shqipëria, transplantimi mekanik i këtyre koncepteve, pa përshtatje ndaj realitetit lokal, sjell më shumë përçarje, sesa emancipim.
Siç paralajmëron deklarata e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, këto nisma “rrezikojnë të fusin shoqërinë në një proces relativizimi moral” një proces që bie ndesh me kulturën e bashkëjetesës dhe me unitetin familjar.

Një nga elementët që lidhen drejtpërdrejt me frymën wokiste është përfshirja e nocionit të “vetëpërcaktimit gjinor”, si bazë ligjore për përkufizimin e identitetit. Kjo nënkupton që identiteti gjinor nuk lidhet më me realitetin biologjik, por me përceptimin individual. Nëse kjo bëhet normë ligjore, krijohet precedent që përmbys strukturat mbi të cilat është ndërtuar familja, edukimi dhe vetë koncepti i bashkëjetesës shoqërore.

Në këtë kuptim, ligji është shprehje e një procesi më të gjerë ideologjik global, që synon të rishkruajë përkufizimet themelore të natyrës njerëzore.

Në qasjen wokiste, familja tradicionale shpesh paraqitet si strukturë “patriarkale” që duhet shpërbërë. Por në realitetin shqiptar, familja është institucioni bazë i solidaritetit, kujdesit dhe edukimit.

Përpjekja për të zëvendësuar këtë strukturë me modele të paqarta ose të importuara nga kontekste të tjera kulturore, përmes terminologjive të reja ligjore, cënon kohezionin social dhe identitetin tonë kombëtar.

Në vend që të mbrojë barazinë reale, ligji rrezikon të përhapë konflikte kulturore dhe të relativizojë ndjenjën e përkatësisë ndaj një morali të përbashkët.

IV. Paralajmërimi filozofik: “Tirania nis me ligje të pafajshme”

Në analizën e tij të botuar në gazetën “Panorama”, studjuesi i ri Brenton Kotorri thekson se: “Tirania nis me ligje të pafajshme, të cilat në emër të barazisë e të drejtësisë, nisin të shkulin rrënjët e kuptimit të përbashkët”.

Ky citim është thelbësor për ta kuptuar dimensionin ideologjik të ligjit. Ligje të tilla mund të duken si hap për përparim shoqëror, por në mungesë të debatit të gjerë dhe konsultimit real, shndërrohen në instrumente që ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit, pa bazë morale dhe kulturore të qëndrueshme.

Nëse konceptet e projektligjit përfshihen në kurrikulat arsimore apo në politikat publike të edukimit, ato mund të ndikojnë negativisht në mënyrë të drejtpërdrejtë në perceptimin që brezat e rinj do të kenë për familjen, rolet gjinore dhe moralin publik.

Në mungesë të një kornize të qartë etike e pedagogjike, ekziston rreziku që wokizmi të futet gradualisht në sistemin tonë edukativ si “normalizim i diversitetit ekstrem”, duke përjashtuar vlerat tradicionale që kanë mbajtur shoqërinë shqiptare të bashkuar.

Kjo do të përbënte një ndryshim paradigmatik tejet të rrezikshëm: nga edukimi për bashkëjetesë dhe përgjegjësi, drejt edukimit për vetë-identifikim pa kufij.

xxx

Ligji për barazinë gjinore, më shumë se një përpjekje ligjore për të arritur drejtësi gjinore, nën trysninë e sektit Rama, ka degjeneruar në një atentat të pastër ndaj familjes shqiptare, në një projekt ideologjik që ndikon tejet negativisht në modelin kulturor dhe familjar të shoqërisë shqiptare.

Përfshirja e nocioneve që burojnë nga ideologjitë wokiste, mungesa e konsultimit publik, paqartësia konceptuale dhe efektet e mundshme në edukim dhe familje e bëjnë të nevojshme një rishikim të thellë.

Në këtë kuadër, analiza kërkon një reflektim të gjerë institucional dhe shoqëror, për të siguruar që çdo ligj që synon barazinë të mos kthehet në mjet për imponimin e ideologjive që minojnë rrënjët morale, fetare dhe kombëtare të shoqërisë shqiptare.

About Redaksia

Check Also

Ironike: Kosova shkollë demokracie, Shqipëria dhe Serbia më “afër” BE-së!

Nga Enver BYTYÇI Ora 21.40 e datës 9 nëntor 2025. ‘Gugulloj’ në internet me qëllim që …