Kryetari i PD, Sali Berisha, pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar, në një deklaratë për mediat, u shpreh se, Partia Demokratike do të bëjë çdo përpjekje për t’i rikthyer parlamentin qytetarëve shqiptarë dhe për ta kthyer atë në një institucion që funksionon mbi bazën e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Berisha akuzoi shumicën qeverisëse se ka shndërruar parlamentin në një instrument shtypës ndaj opozitës dhe qytetarëve, duke bllokuar debatin dhe duke shkelur parimet kushtetuese të funksionimit të tij.
Berisha: PD do të bëjë të gjitha përpjekjet që i takojnë për ti rikthyer parlamentin qytetarëve shqiptarë, për të kthyer parlamentin e Shqipërisë, në parlament që funksionon mbi bazën e Kushtetutës dhe Rregullores së parlamentit.
– Si do e bëni këtë?
Berisha: Të gjitha format e domosdoshme për rikthimin e parlamentit, funksionimin e tij mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të vetë parlamentit.
– Bojkoti ishte vetëm për sot, do ketë deputetë nesër në komisione.
Sali Berisha: Ndonjë surprizë. Ju shkoni nesër në komisione dhe shifni. Edhe pasnesër.
– A pati vendim, do shkoni apo jo në Komisione?
Berisha: Vendimi është i prerë, do të bëhet çdo përpjekjet e domosdoshme për rikthimin e parlamentit dhe funksionimin e tij, mbi baza të Kushtetutës dhe ligjeve.
Pra, nëse sot për sot, parlamenti funksionon i tëri jashtë përcaktimeve të Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit;
Sot për sot, parlamenti është një instrument opresiv ndaj opozitës;
Sot për sot parlamenti është një instrument opresiv ndaj qytetarëve shqiptarë, nuk shpreh më, nuk merret me të drejtat e qytetarëve shqiptarë, me interesat e tyre, dhe siç keni parë ju, pas 10 seancash është bllokuar debati në 9 seanca dhe është lejuar në vetëm në 1 seancë.
Ndërkohë deputetët tanë kanë qenë në çdo mbledhje të Komisioneve parlamentare. Kanë shqyrtuar ligje dhe vendime me seriozitetin më të madh.
– Si do të arrini këtë, cili është plani juaj?
Berisha: Absolutisht do të përdorim të gjitha mjetet, gjersa parlamenti të funksionojë.
– A i keni përdorur dhe më parë këto mjete?
Berisha: Edhe po edhe jo…
– Nesër do shkojnë deputetët në Komisionet parlamentare?
Berisha: Bojkoti nuk është opsion. Ne e kemi të ndaluar bojkotin.
Gazeta RD