Ministrja Spiropali është pyetur në lidhje me hetimet ndaj Ballukut në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme në Parlament. Përgjigjja e saj në të vërtetë është një tekst tipik i shefit të saj në qeveri, Ramës. “Ne luftojmë pandëshkueshmërinë në çdo nivel, secili përgjigjet para ligjit”. Frazeologjia edhe ajo e meposhtme e Spiropalit është tipike e Ramës.
Spiropali dihet se nuk flet asnjëherë pa lejen e shefit të saj dhe në këtë rast ajo ka treguar se Rama ndonëse shfaqet me Ballukun, ai është tipiku i shokut “Taras” në tilla raste dhe flet edhe me gjuhen e Spiropalit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka deklaruar se mazhoranca është e vendosur të luftojë pandëshkueshmërinë në të gjitha nivelet, pas njoftimit se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është shpallur e pandehur nga SPAK.
Gjatë mbledhjes së Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Spiropali u shpreh se në Shqipëri nuk ka të paprekshëm dhe se pushteti politik nuk do të ndërhyjë në drejtësi.
“Për asnjë rast nuk do na gjeni neve, dhe për asnjë arsye, të sulmojmë prokurorë apo gjykatës, apo të komentojmë mbi çështje të posaçme të drejtësisë. Kjo është një gjë që na ka ndarë që kur kemi ndërmarrë reformën në drejtësi, kur kemi vendosur që pushteti politik duhet t’i heqë kthetrat nga pushteti i drejtësisë,” tha Spiropali.
Ajo theksoi se mazhoranca ka marrë një vendim “historik” për të luftuar pandëshkueshmërinë “kudo ku ajo shfaqet, në çdo nivel të administratës dhe politikës”.
“Ky është ndryshimi i madh mes nesh dhe politikës së vjetër që me akuza penale ndaj kundërshtarëve bën politikën e ditës. Ne nuk e bëjmë këtë. Secili mban përgjegjësi para ligjit, para fytyrës së vet dhe para elektoratit të vet,” përfundoi ministrja Spiropali.
Spiropali e bëri këtë deklaratë si përgjigje ndaj deputetit Agron Shehaj, i cili kritikoi ashpër qeverinë, duke kërkuar shpjegime për faktin që zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për korrupsion, vijon të ushtrojë detyrën dhe shfaqet në aktivitete publike pranë kryeministrit Edi Rama.
“Ju thatë se qeveria nuk bën hetime, por i bën SPAK. Por a jeni në dijeni se për herë të parë në historinë e Evropës, një zëvendëskryeministre është marrë e pandehur? Si e shpjegoni ju që znj. Balluku vazhdon të jetë në detyrë, ndërsa në çdo vend tjetër do të kishte dhënë dorëheqjen? Si ua shpjegoni këtë kolegëve tuaj europianë kur flisni për integrimin në BE?” – pyeti Shehaj ministren e Jashtme, Elisa Spiropali.
Gazeta RD