Si u ekzekutua Gilmando Dani nën hundën e policisë!

Një vit pas lirimit nga burgu, 47-vjeçari Gilmando Dani është ekzekutuar këtë pasdite (11 nëntor) në dalje të aeroportit të Rinasit vetëm pak metra larg komisariatit të Policisë.

Në atentat ka mbetur i plagosur rëndë edhe Muçi Shaljani, 40 vjeç, punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), institucioni që mbikëqyr vetë forcat e rendit.

Gilmando Dani - Muci Shaljani (Punonjës i AMP-së
Gilmando Dani – Muci Shaljani

Dinamika e ngjarjes sipas kamerave të sigurisë

Gilmando Dani sapo kishte ardhur nga Barcelona dhe është pritur në Rinas nga Muçi Shaljani. Ata hipin brenda mjetit tip “Mercedes Benz“ dhe sapo janë afruar pranë rrethrrotullimit të Rinasit, të shtëna me armë kanë nisur drejt tyre nga një mjet tjetër tip “Toyota“ blu e errët.

Menjëherë pas të shtënave, një person zbret nga dera e mjetit tip Toyota, i afrohet Benzit, hap derën e pasagjerit dhe qëllon disa herë me armë zjarri duke lënë të vdekur Danin dhe të plagosur rëndë Shaljanin.

Pamje nga atentati

Dyshohet se, Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (Sheqeri) në nisje të të shtënave i janë kundërpërgjigjur autorit të vrasjes me armë por pavarësisht kësaj ky i fundit ka arritur të largohet.

I maskuar dhe me një veshje që ngjante me uniformë policie, ai hipën në mjetin tip Toyota, i cili menjëherë merr rrugën drejt Fushë-Krujës, duke ndjekur rrugën Vorë-Fushë-Krujë.

Pak minuta më vonë mjeti është gjetur i djegur në fshatin Halilaj nga forcat e policisë dhe zjarrfikësit ku janë gjetur 4 armë zjarri e kallashnikovë, ndërsa ka dyshime se kanë qënë 4 bashkëpunëtorë.

Mjeti i djegur

Dështimi i Policisë së Shtetit

 Ngjarja ka ndodhur në një zonë me prani të lartë policore, ku patrullat e rendit, të trafikut dhe forcat e sigurisë së aeroportit janë të përhershme. Pavarësisht kësaj, autorët kanë mundur të ekzekutojnë atentatin dhe të largohen, duke ngritur edhe njëherë pikëpyetje serioze mbi efikasitetin e strukturave të sigurisë dhe nivelin e kontrollit shtetëror në zonat më të mbrojtura të vendit.

Fakti që Dani udhëtonte në automjet me Shaljanin, punonjës i AMP-së nxit debate të forta mbi marrëdhëniet mes botës së krimit dhe strukturave të policisë, si dhe mbi rrezikun e infiltrimeve të mundshme brenda institucioneve ligjzbatuese.

Ironikisht, ngjarja ndodhi vetëm disa orë pasi Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi publikisht se “Shqipëria është ndër vendet më të sigurta të rajonit”. Por atentati në mes të ditës, në një nga zonat më të mbrojtura të Tiranës, e vë në pikëpyetje këtë imazh të sigurisë që ministrja përpiqet të përcjellë.

Sakaq lidhur me rastin bëhet me dije se janë ngritur postblloqe në akset hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit, ndërsa hetimet janë në fazën e parë. Gjithashtu janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të aeroportit dhe të bizneseve përreth.

About Redaksia

Check Also

Aktori reagon kundër aktorëve që mbështetën hajdutin Veliaj në Gjykatë

Paraqitja e disa aktorëve në mbështetje të hajdutit Erion Veliaj në Gjykatën Administrative ka shkaktuar …