Nga Jozefina TOPALLI
Sot në Rinas ndodhi një atentat mafioz. Një ekzekutim në zonën më të mbrojtur të vendit — aty ku çdo metër është nën kamera, çdo lëvizje presupozohet se duhej te ishte nën kontroll.
Megjithatë, krimi hyri, vrau, doli, dogji makinën dhe u zhduk si të ishte zot i territorit.
Dy orë më herët, në parlament, Ministria e Brendshme shpallte me ton fitimtar se “Shqipëria është më e sigurt se kurrë”.
Ky kontrast i frikshëm — mes propagandës dhe realitetit — është fotografia më e saktë e shtetit që po shembet, por pa u rrëzuar ende.
Shqipëria ndodhet në fazën ku krimi është integruar në sistem, ku pushteti dhe mafia nuk janë më dy botë të ndara, por një organizëm i vetëm që jeton me gjakun e qytetarëve të vet.
Sot, trafikantët që dikur fshiheshin, kthehen si “biznesmenë të suksesshëm”.
Qeveritaret që duhet t’i luftonin, i ftojnë në koncesione, në tendera, në lista e financime.
Kur krimi legalizohet, kur korrupsioni institucionalizohet, atëherë edhe vrasja bëhet pjesë e normalitetit.
Atentatet në Shqipëri nuk ndodhin për hakmarrje personale, por për ndarje tregjesh — të parave, të pushtetit, të mbrojtjes.
Kjo është skema e një republike të kapur.
Rinasi është simbol. Është porta e vendit. Dhe kur porta e vendit shndërrohet në skenë atentatesh, kjo tregon se krimi nuk ka më frikë as nga ligji, as nga shteti, as nga drejtësia.
Ky atentat nuk është rastësi. Është pasojë.
Pasojë e një dekade ku pastrimi i parave u quajt “zhvillim ekonomik”,
ku ndërtimet pa burim financiar u quajtën “rritje e GDP-së”,
ku heshtja ndaj krimit u quajt “stabilitet politik”.
Në vendet e kapura, vrasjet nuk ndodhin nga dobësia e shtetit — por nga forca e krimit që e sundon atë.
Dhe kur pushteti mburret me “ulje të vrasjeve”, ndërsa atentatet ndodhin në zemër të aeroportit, nuk kemi më të bëjmë me një dështim të sigurisë — por me kolapsin e shtetit si ide.
Sot, Shqipëria nuk është më republikë ligjore.
Është një territor i krimit të organizuar, i veshur me retorikë qeveritare dhe me uniforma që nuk mbrojnë, por mbulojnë.
Dhe çdo atentat i tillë është kujtesë se krimi nuk është më jashtë shtetit — ai është vetë shteti. Eshte narco shtet.
Gazeta RD