Deputeti i PD, Klevis Balliu në mbledhjen e Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes deklaroi se, një kompani e cilësuar si “fiktive” dhe me një buxhet modest prej 35 mijë eurosh, ka fituar një kontratë me vlerë miliona euro nga Ministria e Mbrojtjes.
Duke iu drejtuar ministrit të Mrojtjes Pirro Vengu, Balliu i tha se, qeveritarët shkojnë në Komisione veç për propagandë. Ai vuri në pikëpyetje logjikën se si një firmë pa kapacitetet e duhura financiare mund të jetë fituese e një tenderi kaq të madh dhe tha se, kjo situatë ngre dyshime serioze për mënyrën se si menaxhohen fondet publike, veçanërisht në një sektor jetik si ai i mbrojtjes.
“Ju thatë që Ministria e Mbrojtjes, ju thatë që Ministria e Mbrojtjes nuk merret me tendera. Këtu që e keni bërë ju publike vetë, siç thoni ju, e kemi bërë publike ne. A thatë e keni bërë publike? Po pra, publike e keni Ministria e Mbrojtjes. E dyta. Folët për portet, portet dhe aeroportet. I ke të gjitha në hetim zotëri. Ato pilotët ku do i mësojnë? Te aeroporti i Vlorës? Atje do mësojnë? E shikoni që po pezullohet? Porti i Durrësit që flasim ne, Më fal, më fal! Porti i Durrësit, Porti i Durrësit. Tani mos ndërprit, mos ndërprit aty se po të jetë për të ndërprit nuk i vjen radha me fol njeriut. Tani pjesën e portit të Durrësit. Porti i Durrësit nuk ta përmendim ne, që është një pikë nevralgjike, që është çështje e sigurisë kombëtare.
Portin e Durrësit dhe aeroportet nuk t’i përmendim ne zotëri, se dje ishte një zonjë tjetër, ishte një zonjë aty, që na thoshte bashkë me kolegët e tu, që Shqipëria është më e sigurta, dhe mu në aeroport, 10 minuta pasi u largua nga këtu, bëhet atentati i radhës mafioz. Tani edhe ju po vini këtu për të bërë propagandë, për të bërë zhurmë dhe kur ne ju tregojmë dokumentat, në qoftë se një nga këto dokumenta nuk është i vërtetë, unë tërhiqem. Ju bini dakord? Ju bini dakord që është normale që një kompani fiktive, pa buxhetin e mjaftueshëm, të marri tendera miliona euro? Se ju keni ardhur për të kërkuar buxhet. Po për çfarë t’jua japim buxhetin neve ju? Kur ju ja çoni RojeF-it e kompanisë, shok. Të cilët s’i kanë kapacitetet për ta bërë, se prandaj e ka buxhetin 35.000 euro.
Dhe VKM-ja e Lubi Ballukut ta kërkon që ta ketë 15 milionë euro. 15 milionë euro me 35.000 euro është njësoj? Dhe, dhe, dhe tjetra, dhe tjetra, dhe tjetra. Përmendët këtu të kaluarën. Po zotëri. Mund ta përmendni gjithë ditën të kaluarën. Këto shifra që flisni sot ju, se ne jemi me NATO-n, e po plotësojmë NATO-n, e po bëjmë NATO-n, e po bëjmë NATO-n. NATO-n nuk e futët ju. NATO-n e futi qeveria e Partisë Demokratike.
T’ju vijë mirë, t’ju vijë keq. Qeveria e Partisë Demokratike. T’ju vijë mirë, t’ju vijë keq. E futi qeveria e Partisë Demokratike, për të cilat, se keni ish-ministra të Mbrojtjes këtu, ja ku e ke zonjën Xhaçka, duhet të plotësosh një seri kriteresh që të futesh në NATO. Se tjetër ashtu i merrshin të gjithë nëpër rrugë. Dhe ato kritere lidhen edhe me sigurinë, lidhen dhe me kapacitetet, lidhen edhe me arsimin që sot e ke gjashtë mesataren, ndërkohë që në kohën tonë ka qenë shumë herë më lart”, u shpreh Balliu.
Gazeta RD