Edhe zgjedhjet e pjesshme po thonë se gjendja imponon radikalitetin e opozitës

Nga Ndriçim KULLA

U përsërit sërish me një prove të vogël. Ajo që është denoncuar dhe po denoncohet përditë në rrjetet sociale dhe në çdo pasqyrim të opinionit publik.

Populli ndëshkoi sërish vetveten si 11 maji?!

Çudi epokale!

Populli  braktis fatin e tij!

Shpërthimet e përditshme kundra padrejtësive nuk qenkëshin valë zemërimi i revoltës popullore, nuk ishin manifestime reale kundra qeverisjes, por me këtë rezultat na dalkan si imitime për të vënë në lojë të gjithë ata që denoncojnë regjimin, duke përfshirë edhe opozitën.

Secili që ka një raport të përditshëm me të vërtetën, s’ka se si të mos jetë i befasuar për ata njerëz që shikonim në rruge të hidhnin prodhimet e mundit të tyre në asfalt në shenjë zemërimi, për shkak të mungesës së tregut ose kostos së lartë, nga që shteti i ka shpërfillur, si me ndihmën për të garantuar tregun, ashtu edhe me politikat subvencionuese.

Një fenomen i rrallë  në nivel botëror, ku  pikërisht ata njerëz që dolën nga shtëpitë e tyre dhe rendën të rivotojnë  atë pushtet  që i shpërfilli, i talli, i frikësoi dhe i telendisi!

Më thoni një qeveri në botë, përveç diktaturave të narkokarteleve, e cila erdhi në pushtet vetëm me qeverisje koalicioni, 67 deputet dhe mbas 13 vjetësh, mes   skandaleve të korrupsionit, krimit  të organizuar dhe   padrejtësive të pa fundme, e rriti nivelin në kufijtë e të pa besueshmes, me 83 deputet!

Të gjitha bashkitë në të cilat pardje u përsëritën zgjedhjet, për arsye të boshllëqeve si rrjedhojë  e skandaleve  korruptive të pushtetit, absolutisht u  fituan   përsëri nga pushteti i korrupsionit.

Dhe rezultati është në kufijtë  e një rekordi në vetvete. Të duket sikur përkundim një botë surreale. Po si mund të besohet fakti që këta njerëz zgjodhën me dëshirën e tyre vetëvrasjen?

A janë këta bashkatdhetarët tanë me të cilët  dje kemi biseduar, kemi qarë hallet për problemet e njeri tjetrit, duke u shprehur me sinqeritet edhe shqetësimet që ka secili prej nesh.

Edhe këto janë zgjedhje që u përkasin vetëm diktaturave. Nuk mund ti besosh kurrë një përfundimi të tillë që përmbys arsyen njerëzore.

Të gjitha pushtetet që janë vënë nën thundrën e regjimit, me burimet dhe mekanizmat që kontrollon regjimi, kanë krijuar me terror dhe marifete një “dashuri të pa zgjidhshme të popullit” ndaj atij, që jo vetëm që nuk punon për të përmirësuar jetën e tyre, por përkundrazi, i shtyp, u merr frymën u  merr pronat me forcë dhe arrogancë dhe i detyron të marrin rrugën dhe të ikin nga vendi i tyre.

Ne çdo vend të botës demokratike, ndonëse kjo është e pa përsëritshme si fenomen, do shihnim që populli do ta kishte marrë vetë situatën në dorë. Me dhimbje të madhe po shohë, se populli ynë sot  duket ta ketë humbur busullën dhe po përjeton  një krizë konfuzioni dhe paqartësie historike.

Lebërit e Lumit të Vlorës, çfarë të zeze tjetër presin më tej, kur edhe uji i kulluar i Buronjave të Kuçit nuk e  përshkon më rrugën natyrore në  luginën e Lumit të Vlorës, pasi qeveria  e mori dhe e  bëri dhuratë  për vilat e oligarkëve të Palasës.

Vlonjatët kjo qeverisje vendore i la pa ujë dhe ndërkohë, duke i poshtëruar më tej , iu solli dy megandotës në gjirin e bukur të Nartës, ndërsa shiun edhe në ditët e verës së nxehet ua ka thyer në një tmerr, sepse vetëm një vesë shi të bjerë dhe të duhet varka që të kalosh qendrën apo lagje të veçanta.

Pse e kanë varur kokën dhe ecin symbyllurazi  vlonjatët edhe kur jeta e tyre kalon nëpër mbijetesë?!

Nuk ka rëndësi më të evokosh problematikën e denoncuar në vazhdimësi nga qytetarët madje edhe në forma revoltuese. Si u tretën të gjitha ato shqetësime dhe protesta përpara kutisë së votimit? Si nuk u shndërruan  ato në rrebeshe popullore për të bërë të mundur  ndryshimin që kjo kastë e cila  i ka zënë frymën demokracisë ti hap rrugën vullnetit të lire?!

Është magjia e vjedhjes dhe manipulimit të votës nga regjimi ajo që  po ruan statuskuonë edhe në këto zgjedhje, ku dështimet dhe  skandalet  e regjimit kthehen  pabesueshmërisht në fitore?!

Partia shtet e megaskandaleve korruptive i fitoi edhe këto zgjedhje të pjesshme.

Me 77  për qind  fitoi Vlorën , 70 Cerrikun, 73  përqind Beratin dhe 67 përqind Matin. Eshtë një rezultat i kalkuar diktature. Nuk i fitojnë kurrë zgjedhjet kështu, as Putin, as Lukashenko . Ky është modeli i komunizmit të ringjallur. Nuk gjen kurrë një model origjinal si ky.

Raportin e OSBE- ODIR, ky rezultat  tronditës, e ka bërë një copë letër pa asnjë vlerë. As denoncimet  rrëqethëse të opozitës dhe shtypit opozitar duket të jenë kthyer në një fasadë  për regjimin. Partia shtet e ka mekanizmin të gatshëm për të  kryer çdo operacion të nevojshëm në mënyrë  kapilare që të mbyll rezultatin që ajo dëshiron. Ndonëse konteksti politikë ka ndryshuar disi, vendi ynë ka një hartë të vogël gjeografike dhe demografike për të tërhequr vëmendjen  e kontinentit tonë në këto shqetësime dramatike që ka Evropa dhe Amerika. Duhet ulërimë buçitëse që të na dëgjojnë dhe për këtë duhet të jemi realist.

Kjo është gjendja reale dhe ka ardhur një pike ,që nuk ka më vend për  rutinë politike për secilin prej nesh aq më shumë për opozitën.

Kemi 5 rezoluta ndërkombëtare ,të cilat denoncojnë regjimin e karteleve të drogës dhe si për ironi e keqja po shkon thellë e më thellë . Evropa me qëndrimet kontradiktore nuk është e unifikuar në drejtim të ndihmës aktuale që duhej ti jap Shqipërisë dhe me sa po duket, mbetet  larg krizës sonë, ndoshta edhe duke mos e kuptuar me rrënje burimin e saj.

A ka mbetur rrugë tjetër përveç rradikalizimit të qëndrimeve si në rrugë ashtu edhe në parlament?

Janë me  shumë vlerë denoncimet e përditëshne të skandaleve korruptive dhe të përfshirjes së regjimit në trafikun e drogës apo lumin e parave të pista. Por çdo gjë do mbetej qëllim në vetvete në se nuk do shoqërohet me një aksion shumë të fortë opozitar, sepse askush nuk ta kthen kokën si brenda  edhe jashtë, përballë problemeve të mprehta që ka sot bota perëndimore.

Gjendja të imponon radikalitet dhe opozita këtë duhet ta bëj pa dilema.

About Redaksia

Check Also

Ironike: Kosova shkollë demokracie, Shqipëria dhe Serbia më “afër” BE-së!

Nga Enver BYTYÇI Ora 21.40 e datës 9 nëntor 2025. ‘Gugulloj’ në internet me qëllim që …