Gjyqi politik ndaj Bardh Spahisë, paditësi pranon se interesi i tij ka qenë lufta politike!

Deputeti i PD, Bardh Spahia, në një deklaratë për mediat pas seancës gjyqësore, e cilësoi procesin ndaj tij si një gjyq të stisur politikisht.

Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë për orkestrimin e këtij procesi me qëllim dëmtimin e figurës së tij dhe të Partisë Demokratike.

Spahia zbuloi një deklaratë të bërë në sallën e gjyqit nga vetë paditësi, Mark Molla, i cili ka pranuar se interesi i tij ka qenë lufta politike.

“Jua lexoj edhe njëherë sepse është shumë domethënës deklarata e tij. Ai është shprehur: ‘Nuk kam pasur interes, interesi im ka qenë lufta politike’. Kjo është thënë nga goja e paditësit”, theksoi Spahia, duke shtuar se kjo dëshmi fakton qartë përdorimin politik të procesit.

Spahia akuzoi më tej se paditësi ishte “shpërblyer nga përdoruesit e tij” menjëherë pas zgjedhjeve vendore, duke iu referuar shfaqjeve publike dhe fotografive të tij me kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun aktual të Shkodrës, Benet Beci.

I pyetur nëse kjo “luftë politike” ishte në nivel lokal apo qendror, Spahia u përgjigj se presioni vinte nga të dyja nivelet. Ai përfundoi duke ritheksuar se procesi gjyqësor ndaj tij është “stimuluar dhe financuar politikisht”.

About Redaksia

Check Also

Nën hetim nga SPAK, jep dorëheqjen Dallëndyshja e IKMT

Dallëndyshe Bici ka dhënë dorëheqjen nga detyra si kryeinspektore e IKMT-së, mes zhvillimeve të fundit …