Shqipëria ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar, duke siguruar kualifikimin në playoff të Botërorit 2026 pas fitores 0–1 në transfertë ndaj Andorrës. Një ndeshje që duhej fituar me çdo kusht dhe ku kuqezinjtë e bënë detyrën me personalitet, qetësi dhe vendosmëri.
Heroi i sfidës u bë Kristjan Asllani, i cili në minutën e 67-të zhbllokoi takimin me një goditje të saktë brenda zonës, pas një asisti perfekt nga Myrto Uzuni. Një aksion i ndërtuar me qetësi, presion dhe inteligjencë, që shpërtheu në festë të madhe për skuadrën dhe tifozët shqiptarë.
Kuqezinjtë e dominuan ndeshjen, kontrolluan ritmin dhe nuk lejuan asnjë surprizë nga vendasit. Sylvinho kërkoi maksimumin deri në minutën e fundit dhe ekipi iu përgjigj me disiplinë të hekurt dhe grintë në çdo duel.
Me këtë rezultat, Shqipëria siguron matematikisht vendin që e çon në playoff, duke hyrë mes skuadrave që do të luftojnë deri në fund për një biletë historike drejt Kampionatit Botëror 2026.
Një arritje e madhe, e merituar dhe e fituar me shumë mund, që ndez krenarinë e çdo shqiptari.
Gazeta RD