Ola XAMA
Akuzat që bëhen për tentativa se kontratën koncesionare kërkon ta marrë një kompani ruse janë të pabesueshme. Z. Ademi duhet të sqarojë se çfarë e pengon sot z.Pacolli që të shesë kompaninë Mabco te një firmë kineze, ruse apo qoftë e Koresë së Jugut? Asgjë. Përse duhet ta bëjë këtë manovër përmes marrjes së huasë dhe jo drejtpërdrejt kur nuk e pengon asgjë?
Kriteret ku shteti jep miratimin për shitjen e aksioneve në një kontratë koncesionare janë shumë të qarta: duhet që kompania të ketë të njëjtën përvojë teknike dhe kapacitet financiar me atë që largohet që të mos rrezikojë zbatimin e projektit. Pra kushti lidhet me aftësinë e saj dhe jo me pronarin.
Dhe projekti është rrezikuar te pika e operimit për shkak të largimit të firmës turke YDA me konsensusin e dy ortakëve (Ademi dhe Pacolli) dhe miratimin e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë!
Këtë duhet të sqarojnë të dy aksionerët e Aeroportit të Vlorës: përse morrën në kontratë kompaninë turke? Kush i këshilloi ta marrin dhe si ka mundësi që përpara se të fitohet një kontratë publike duhet të takohet ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë?
Te intervista e djeshme e Valon Ademit nuk kuptova dy gjëra:
1. Ademi pretendon 47% të aksioneve në bazë të një vlere investimi 25 milion euro të kryer nga fimra e tij 2A Group, ndërsa vlera e investuar gjithsej në këtë kontratë (sipas asaj që tha) është 100 milion euro. Atëherë përse nuk pretendon 25% të aksioneve por 47%?
2. Faktin që z.Pacolli është i lidhur me Kremlinin e zbuloi së fundi apo historia e tij që ka patur biznese në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik njihet nga të gjithë përfshirë dhe nga qeveria shqiptare?
Gazeta RD