Më 13 nëntor 2025, Thesari amerikan vendosi sanksione të plota ndaj Hysës dhe 27 personave e kompanive të lidhura me të. Sipas OFAC, “Grupi i Krimit të Organizuar Hysa” ka përdorur kazino dhe kompani në Meksikë për të pastruar fitimet e trafikut të drogës; skema operonte me miratimin e Kartelit të Sinaloas; paratë e thata lëviznin në sasi të mëdha drejt SHBA dhe Europës; rrjeti përdorte kompani fasadë në energji, lojëra fati, restorante, hydrocarbures dhe video-lojëra.
Duke parë aktivitetin e familjes Hysa, sipas të dhënave të Thesarit amerikan dhe mediave të mëdha botërore, ky është një nga rastet më të rëndësishme i goditur ndonjëherë për bashkëpunim me kartelin Sinaloa.
10 kazino të mbyllura në Meksikë, llogaritë e ngrira në Kanada
Njësia e Inteligjencës Financiare të Meksikës i ngriu llogaritë bankare të Hysës dhe kompanive të tij. 10 kazino të rrjetit në Sonora, Sinaloa, Baja California dhe Nuevo León u shkëputen nga sistemi financiar amerikan.
Ndërkohë në Kanada, La Presse dhe Le Journal de Montréal publikojnë dokumente të GRC-së, sipas të cilave, restoranti “Mirela”, në pronësi të Hysës brenda Magic Palace Casino, gjeneroi 28 milionë dollarë kanadezë transfertash drejt Shqipërisë, Meksikës, SHBA-së, Britanisë dhe Italisë.
Një pjesë e këtyre parave janë në Shqipëri te Valona Konstruksion, kompani me lidhje direkte me pronarin e Marina Bay, Besnik Lulajn. Ndërsa FINTRAC e identifikon Hysën si përfitues të këtyre transfertave.
Kahnawake Gaming Commission ia hoqi licencën Hysës, pasi hetimi zbuloi “transferime të dyshimta” dhe “lidhje të mundshme me grupe kriminale meksikane”. Kazinoja Magic Palace u mbyll menjëherë.
Ortakëria e dokumentuar: Hysa dhe pronari i Marina Bay janë bashkëpronarë në Kanada
Dokumentet zyrtare të regjistrit të biznesit në Quebec tregojnë se Luftar Hysa dhe Besnik Lulaj, pronari i Marina Bay Resort & Casino, kanë biznese të përbashkëta edhe në Kanada. Ky është fakt i verifikuar që lidh drejtpërdrejt Hysën me resortin ku operon kazinoja në Shqipëri.
RAI3, në emisionin “Report”, e identifikon Marina Bay si pjesë të skemave të pastrimit të parave të rrjetit Hysa-Sinaloa.

INFO BAE: Takimi me Ramën, “tërmet politik” në Shqipëri
Media më e madhe në botën spanjolle, INFO BAE, raporton se sanksionet amerikane kanë shkaktuar krizë politike në Shqipëri. Megjithtë, nga opozita nuk ka deri tani ndonjë aksion pas publikimit të vendimit të Departamentit amerikan të Thesarit. Artikulli i Anayeli Tapia Sandoval përmend faktin se Luftar Hysa është takuar publikisht me kryeministrin Edi Rama në zyrën e tij në kryeministri.
Takimi nuk është mohuar kurrë nga Rama, por kryeministri pati reaguar me përbuzje. Fillimisht, i pyetur nga gazetarët shqiptarë në vitin 2022, dha këtë përgjigje:
“Doli një artikull atje dhe mbushet gjithëëë rrjeti i kanaleve të vatanit këtu, që merret me një familje e tërë shqiptare dhe kryqëzohet këtu nga mëngjesi deri në darkë… Pa e pyetur fare, ore kush jeni, ore ku jeni, ore me ça merreni dhe pastaj lidhet njeriu më i kërkuar në botë, pasuria e të cilit thuhet se është më e madhe se GDP-ja e Gjermanisë, me një hotel me më pak se 100 dhoma në Vlorë. Dhe një nga kartelet më mëdha të botës, i pastroka paratë në Shqipëri. Unë nuk e di dmth, si bëhen këto. Ju kam lënë zotin të gjithë atyre që përfshihen në të tilla fabula të paimagjinueshme dhe atyre që përfshihen në të tilla sulme që shkatërrojnë familje, jetë njerëzish”.
Dy vjet më vonë, pavarësisht se ishte vënë në dijeni të dyshimeve se Luftar Hysa ishte pjesë e kartelit Sinaloa, do të bënte këtë deklaratë, i pyetur nga emisioni investigativ Report, në Rai3.
Rai3: Përse jeni takuar me luftar Hysën këtu në zyrën tuaj?
Rama: Një tjetër emër që përmendet si pa të keq. Më fal, por nuk dua të humbas mundësinë për të dalë në transmetim te ju duke përmendur emra, që nuk e di çfarë duan të thonë dhe kush janë.
Rai3: Sipas autoriteteve kanadeze është një prej pastruesve më të mëdhenj të parave të kartelit të Sinaloas dhe këtu në Shqipëri i është dhënë me koncesion një kazino. Po flasim për fakte dhe rrethana mjaft konkrete.
Rama: Më falni, më flisni për emra që nuk hyjnë fare. Është një fyerje e inteligjencës së spektatorëve tuaj të zësh në gojë emra.
Rai3: Për mua si gazetar, fakti që kreu i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë takohet me një figurë, që pastaj zbulohet se është pastruesi i parave të kartelit Sinaloa dhe një nga pjesëtarët më të rëndësishëm të saj, për mua ky është lajm dhe do t’ju kërkoja llogari për këtë, përndryshe nuk do ta bëja si duhet punën time.
Rama: Më falni, unë takohem me shumë njerëz dhe unë mbaj përgjegjësi vetëm për atë që bëj vetë dhe për atë se çfarë janë personat në momentin që vijnë tek unë. Pastaj nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëjë punën saj dhe më takon mua dhe qeverisë që të distancohen. Është sikur unë t’ju them juve, që ju takoheni me Franceso Beçhettin, që është një kriminel. Më fal, por çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj.
Në Shqipëri Marina Bay Casino vazhdon punën normalisht
Por pavarësisht sanksioneve të SHBA-së, mbylljes së kazinove të Hysës në Kanada, ngrirjes së llogarive në Meksikë, ortakërive të dokumentuara me pronarin e Marina Bay, transfertave 28 milionë CAD drejt Shqipërisë, investigimeve të RAI3, raportimeve të FINTRAC apo të dhënave të INFO BAE, kazinoja në Marina Bay vijon punën sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Në Shqipëri, krimi i oganizuar mesa duket është i paprekshëm.
Por kush po e mbron Luftar Hysën në Shqipëri? Në çdo vend tjetër, vendimi i Thesarit amerikan do të mjaftonte për të urdhëruar mbylljen e menjëhershme të aktivitetit dhe nisjen e një hetimi penal dhe financiar dhe ngrirje te pasurive. Por në Shqipëri vazhdon të mos ndodhë asgjë, për aq kohë sa kryeministri vijon të jetë “më i ashpër me gazetarët sesa me kriminelët”.
Gazeta RD