Kjo është foto në rrjetin X përmes të cilës gazetari spanjoll, Antoine Harari i bashkangjit investigimit për lidhjet e Ramës me krimin e organizuar.
Një reportazh nga platforma evropiane Arte Europa Semanal, në bashkëpunim me El País dhe media të tjera spanjolle, ka nxjerrë në pah pamjen e errët të Shqipërisë, duke e cilësuar mafien shqiptare si ndër pesë rrjetet më të fuqishme të narkotrafikut në botë, me një ndikim që vetëm rritet në Evropë.
Investigimi, i cili fokusohet te rasti i Dritan Rexhepit dhe marrëdhëniet e tij me pushtetin, flet për një “pakt me djallin” mes politikës dhe krimit.
1. Dritan Rexhepi, “Mbreti i kokainës”
Reportazhi hapet me arrestimin e bujshëm të Dritan Rexhepit, i cilësuar si “Mbreti i kokainës”. Rexhepi, i ndjekur nga autoritetet e gjysmës së botës, drejtonte një rrjet që përfshinte më shumë se 10 organizata kriminale ndërkombëtare.
Sipas Europol, kapja e tij është një “simbol” i fuqisë së mafies shqiptare, e cila operon nga portet kryesore të kokainës në Evropë, si Belgjika dhe Holanda, e shtrirë deri në Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Mbretëri të Bashkuar.
2. Lidhjet e rrezikshme me pushtetin politik
Pjesa më shqetësuese e raportit është lidhja e krimit të organizuar me pushtetin politik në Shqipëri.
Gazetari investigativ, Antoine Harari, shprehet se në krye të shtetit qëndron Edi Rama, kryeministri socialist, i rizgjedhur për herë të katërt. Sipas tij, Rama ka toleruar infiltratimin e krimit të organizuar.
“Rama është rrethuar rregullisht nga persona që më pas janë dënuar për lidhje me krimin e organizuar,” thotë Harari. “Ky është si një lloj pakti me djallin që i lejon atij, pavarësisht se ekonomia është në recesion, të mbajë një nivel zhvillimi dhe investimi, falë hyrjes së parave të pista që ushqejnë arkën e Shtetit.”
3. Negociatat me BE: Shqipëria, një ndër vendet më të korruptuara të Evropës
Në sfondin e këtij denoncimi, Shqipëria vazhdon negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke u parë nga Brukseli si një “element kyç” për kontrollin e fluksit të migrantëve të parregullt në Adriatik.
Megjithatë, raporti thekson se, sipas organizatës Transparenca Ndërkombëtare, Shqipëria mbetet një nga vendet më të korruptuara në Evropë. Ky kontrast midis aspiratave evropiane dhe korrupsionit në vend shërben si përfundimi tronditës i këtij investigimi ndërkombëtar.
Gazeta RD