Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi ashpër Ligjin për Barazinë Gjinore, duke e cilësuar si një instrument që shkatërron familjen dhe ndërhyn direkt tek fëmijët në shkolla.
Ai tha se ligji promovon ide radikale të ekstremit të majtë, duke i imponuar ndryshime në identitetin gjinor të fëmijëve dhe duke penalizuar mësuesit dhe klerikët që mbrojnë traditën e vlerave familjare.
“Kostandina, ne do ta bëjmë këtë që thoni ju dhe ju keni shumë të drejtë.
E thashë edhe më siper, njerëzit nuk e kanë kuptuar se çfarë ligji është ky.
Ky është ligj i shkonfigurimit të familjes.
Ky është një ligj i ekstremit më të majtë që ekziston sot mbi tokë.
Në qoftë se Karl Marksi, armiqësinë absolute e kishte me pronën private, post-marksistët, ekstremistët e majtë të sotëm, armiqësinë absolute e kanë me familjen.
Dhe ndaj për të shkatërruar familjen duhet të ndërhyjnë tek gjinia.
Duhet të ndërhyjnë tek fëmija.
Më vjen keq që akoma njerëzit nuk e kanë kuptuar se çfarë domethënie të tmerrshme ka ky ligj.
Fëmijëve në shkollë u bëhet gjithçka që fëmija të mohojë gjininë e tij.
Që të mos quhet Martin, por të quhet Martina apo të mos quhet Martina por të quhet Martin.
Bëhet gjithçka duke u thënë hormone dhe këto praktika ishin masive në SHBA gjersa erdhi presidenti Donald Trump dhe i sanksionoi jo vetëm me dekretin e tij, por edhe me vendimin e Gjykatës Supreme në SHBA.
Këto praktika rikthejnë Kushtetutën më armiqësore të kohërave, Kushtetutën e fundit të diktaturës komuniste.
Klerikët shqiptarë, që do predikojnë vlerat e familjes bazuar në librat e shenjtë, dënohen sepse i referohen mashkullit dhe femrës, burrit dhe gruas, Evës dhe Adamit.
Në shkolla, në qoftë se vazhdon mbrojtja e gjinisë siç kanë lindur, mësuesit dënohen.
Inkurajohet përdorimi i substancave që të ndryshojë mendjen e fëmijëve.
Pra është një ligj i përçudnimit të shoqërisë, ligj të cilin 21 vende anëtare të BE nuk e kanë kaluar, e kanë refuzuar.
Edhe ato që e kanë kaluar, nuk kanë absolutisht nenet ekstreme që ka ligji shqiptar.
Ligji shqiptar detyron që nëse një burrë akuzohet nga një grua se e diskriminon, merret e mirëfilltë akuza e gruas apo e burrit, pavarësisht se mund të mos ketë asnjë fakt apo bazë.
Është ligj i ekstremit të majtë, rikthen metodat e dikurshme të policisë sekrete shqiptare në hetim”, tha Berisha.
Gazeta RD