Berisha: Të gjitha ilaçet e marra së bashku nuk do kushtonin as sa një e pesta e shpenzimeve personale të Ramës

Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar ndaj situatës së mungesës së ilaçeve në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe prioritet të gabuar të fondeve shtetërore.
Në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjete sociale, Berisha e ka përshkruar si “farsë të shëmtuar” menaxhimin e qeverisë dhe ka kritikuar shpenzimet personale të kryeministrit Edi Rama, të cilat sipas tij tejkalojnë me shumë kostot e nevojshme për ilaçet e qytetarëve.
Berisha thekson se ndërkohë që miliona qytetarë shqiptarë mbetën pa ilaçe, shpenzimet personale të Ramës për luksin e tij tejkalojnë me shumë kostot e nevojshme për furnizimin e barnave.
“Të dashur demokrate e demokratë, qytetare dhe qytetarë, që ndiqni rrjetet e mia sociale, nisim sot, duhet të pranoj me vonesë dhe ndjesë për këtë, bashkëbisedimin tradicional  me ju kushtuar situatës dhe zhvillimeve në Shqipëri.
Sot ne nisim këtë bisedë pasi shqiptarët dhe bota pa se si Edi Rama apo Ramaduro apo Noriega e Europës organizoi farsën më të shëmtuar elektorale më datën 11 maj, farsë e cila u konfirmua e tëra në të gjithë shëmtinë e saj në 45 faqe të raportit të OSBE/ODIHR.
Raport që, për të gjithë ata që kanë pasur durim ta lexojnë, konstatojnë se janë paraqitur zhvillimet më të këqija të mundshme në një proces zgjedhor të kontrolluar nga qeveria.
Raport i cili konstaton se në vitin elektoral, njëlloj si në çdo diktaturë tjetër autokratike, kreu i narkoshtetit arreston, burgos apo fus në procese penale liderët e tre partive kryesore të opozitës.
Për të marrë mandatin e katërt, në kundërshtim me ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar të zgjedhjeve, organizon 4530 aktivitete përfshi ditën e zgjedhjeve Giro D’Italia për 7 milionë euro një organizate private.
Ndërkohë që sot në mënyrën më të papërgjegjshme dhe unike në botë u deklaronte qindra e qindra të sëmurëve me sëmundje të rënda, familjeve të mijëra të tjerëve që nuk janë më, se nuk kishim ilaçe meqë ishin shumë për mjekimin e tyre.
Ky njeri i papërgjegjshëm, mund t’i vësh çdo epitet, por të shpenzosh 7 milionë euro për Giro D’Italia, të ndërtosh Kopshtin e Edenit në oborrin e qeverisë për 4.2 milionë euro, të blesh makina për vete, makina e tretë që shkon në total 1.5 milionë euro, të shpenzosh 21 milionë euro udhëtime në dy vite, të hapësh shishe 33 mijë euro Romanee Conti në zyrat e tua, të udhëtosh me çarter dhjetëra e dhjetëra herë dhe të lësh të sëmurët në kthetrat e më të pamëshirës, vdekjes, kryen një krim kundër njerëzimit. T’i lësh pa ilaçe.
Pikërisht sot pranoi se i lamë pa ilaçe se nuk kishim se ata ishin shumë.
Unë u garantoj se të gjithë ata pa përjashtim, të gjitha ilaçet e tyre që janë vërtet të kushtueshme, të marra së bashku nuk kushtonin kurrë as edhe një të pestën e shpenzimeve personale të Edi Ramës për avionë, për makina, për kopshtin e Edenit, për Giro D’italia.
As një të dhjetën.
Por natyrisht njerëzit i shumëzon me zero para interesave të verbra të pushtetit tënd.
Sot ai në shpirtkazmëri si për t’i prekur, iu rikujtoi qytetarëve eksperiencën e tij personale.
Edhe më makabër bëhesh me këtë Edi Rama, se nuk e besoj se ke lënë ndonjë person tëndin pa ilaçe dhe unë shpresoj të shërohet.
Por po të kishe ndjeshmëri ti, po t’i konsideroje qenie njerëzore, ti nuk i lije kurrë ata pa ilaçe.
Ti u bije vizë të gjitha këtyre shpenzimeve për t’u garantuar ilaçet atyre.
Tani thua se këtë vit do kenë ilaçet. Uroj që të mos ua vidhni ilaçet siç keni vepruar.
Sepse ju keni vjedhur paratë e ilaçeve.
Sepse ju keni bërë tregti me ilaçet.
Ministrja jote është pasuruar me ilaçe.
Administrata jote është pasuruar me ilaçe.
Janë këto të gjitha të evidentuara në akte të KLSH.
Unë u ndala në këtë moment se ky është një moment shumë i dhimbshëm.
Po ky është njeri i papërgjegjshëm, njeri që për pushtetin e tij është i aftë të bëjë gjithçka dhe të mashtrojë për çdo gjë.
Ju e dëgjuat dy ditë më parë, me vrasjet që ndodhën në oborrin e aeroportit, që të gjitha në patronazhin e narkoshtetit aty, ky deklaroi se na mungonin kamerat.
Po cilat kamerat mungonin?
Po shqiptarët prej atyre kamerave panë gjithçka me detaje, përveçse ti që nuk i sheh, se ti do mashtrosh.
Pra, kemi shumë probleme për të debatuar së bashku dhe unë jam i hapur për çdo pyetje”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Manifest ideor i të djathtës shqiptare (vazhdim)

Nga Nikola KEDHI IIC. Shteti i së Drejtës: Ligji si kufi i pushtetit, jo si …