Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kandidimi i të pavarurve në zgjedhjet e fundit tregoi qartë, sipas tij, se “Edi Rama nuk bën zgjedhje në asnjë variant”.
Në bashkëbisedimin me qytetarët, Berisha theksoi se, opozita ka demonstruar vullnet për hapje dhe gjithëpërfshirje, ndërsa shtoi se braktisja masive e kryeministrit nga qytetarët duhet të shndërrohet në energji politike për përmbysjen e regjimit që ai e cilësoi “të paligjshëm”.
“Në vlerësimin tim, nuk ishte asnjë gabim. Opozita dëshmoi dhe duhet të dëshmojë vullnet për hapje. Edhe njëherë i falënderoj shumë të gjithë ata që kandiduan si të pavarur. Por çfarë faktoi kjo? Se në asnjë variant Edi Rama zgjedhje nuk bën.
Së dyti, populli e braktisi Edi Ramën. Një braktisje ekzemplare dhe kjo tregon se, ne si opozitë duhet të kapitalizojmë zemërimin dhe revoltën që ekziston në zemrat e shqiptarëve dhe ta kthejmë në një energji të fuqishme të përmbysjes së këtij regjimi të paligjshëm në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD