Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin Log, ka deklaruar se zv/kryeministrja dhe ministrja Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK – ka dhënë urdhër që të gjitha projektligjet e propozuara nga ministria që ajo drejton të hiqen nga rendi i ditës i Kuvendit.
Sipas Bardhit, ky veprim synon shmangien e debatit publik dhe përballjes me opozitën në seancë plenare.
Ai shtoi se, ndërsa Balluku merrej e pandehur, mediat “nuk informonin qytetarët”, duke akuzuar se qeveria ka kontroll mbi një pjesë të madhe të tyre.
“Ndërsa merrej e pandehur zv/kryeministrja Balluku, asnjë media nuk informonin qytetarët që ishte marrë e pandehur.
Ne jetojmë në një realitet të tillë. Të gjitha raportet flasin për një kontroll të qeverisë në media.
Janë urdhëruar shërbimet e kuvendit, kanë kaluar në komisione disa ligje të hartuara nga ministria që ajo drejton, janë udhëzuar në Kuvend që asnjë ligj të mos futet në diskutim.
Ka vendosur të shmangë seancat plenare, nuk do të lejojë debat dhe përballje me opozitën, akuza që sja ka bërë opozita por SPAK/
Nuk gjej dot një projekt të inicuar nga Balluku që nuk fshihet një aferë”, tha Bardhi.
Gazeta RD