Deputeti i PD, Gjin Gjoni ngriti alarmin për atë që e cilësoi si rrezikim të vlerave dhe traditave shqiptare, duke akuzuar mazhorancën se me ligjin e ri për “barazinë gjinore” synon të godasë binaritetin natyror burrë–grua. Ai paralajmëroi se vendi po shkon drejt një “narkodiktature” të bazuar në korrupsion, pastrim parash dhe kapje të institucioneve, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të mbështesin nismën për referendum dhe të bashkohen në përpjekjen për të “çmontuar tiraninë” që sipas tij ka bashkuar partinë me shtetin.
Gjin Gjoni: Në rrezik vlerat dhe traditat tona më të çmuara. Ne duhet të ngrihemi, të qëndrojmë për vlerat familjare që kanë qenë dhe janë themeli i ekzistencës tonë si komb. Ligji për ‘barazinë gjinore’ që u miratua nga mazhoranca, u shkrua për të goditur binaritetin natyror gjinor burrë-grua. Novelisti i famshëm George Orwell ka thënë: Gjuha politike është bërë për të bërë gënjeshtrat të tingëllojnë si të vërteta dhe vrasjet të duken të pa të respektueshme. Asgjë nuk përputhet më shumë se me këtë përshkrim nga mënyra se si u promovua ky ligj për barazinë gjinore. Prandaj mbledhja e firmave për zhvillimin e referendumit duhet të jetë lëvizja e parë që çdo shqiptar duhet të bëjë për të anulluar ligjin e miratuar.
Shqiptarët duhet t’u thuhen të vërtetat, por siç ka thënë Vaslav Havel, e vërteta bëhet e rrezikshme kur largohet nga realiteti. Dhe e vërteta është se jemi kthyer në një narkodiktaturë, në një kundërvlerë të demokracisë. Të gjitha këto mbrapshti dhe shkelje, këto skandale e afera korruptive, si ajo e Ballukut dhe e Ramës, ato kërkojnë t’i mbulojnë, t’i fshehin me propagandë dhe duke mos lejuar opozitën të bëjë punën e saj. Por ne s’do t’i lejojmë.
Ndaj jemi këtu në këtë komunikim të parë me njerëzit pas zgjedhjeve disi i vonuar dhe për këtë duhet t’ju kërkojmë një ndjesë të fortë publike të gjithë demokratëve, por edhe diasporës, për të bërë transparencë, për të rezistuar dhe për të ndalur këtë regjim. Çmontimi i kësaj tiranie, ku partia dhe shteti janë bërë njësh, të bazuar në krimin e organizuar, në pastrimin e parave, në korrupsion, të bazuar në asgjësimin e votës dhe hapësirave të opozitëve, kërkon sakrificën tonë, të ne deputetëve në radhë të parë, por kërkon bashkimin e çdo shqiptari.
Gazeta RD