Gjatë protestës së opozitës, deputetja Elda Hoti kritikoi qeverinë për varfërimin e qytetarëve, shpërfilljen e minatorëve të Spaçit dhe mosrealizimin e rritjes së pensioneve dhe pagave.
Ajo akuzoi mazhorancën se refuzoi të diskutojë në Kuvend vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh dhe denoncoi abuzime financiare në projekte publike, duke përmendur tenderë dhe shuma të mëdha të humbura nga qytetarët. Hoti theksoi se realiteti i shqiptarëve është i vështirë, ndërsa propaganda e qeverisë e paraqet të kundërtën.
Elda Hoti: Të dashur qytetarë, dua ta nis këtë fjalë me një falenderim të sinqertë për secilin prej jush që jeni sot këtu. Për secilin demokrat që ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë në këto vitet e vështira në opozitë. Për secilin qytetar që nuk heshti, edhe kur pushteti përdori çdo mjet për t’jua mbyllur gojën. Ju nuk u nënshtruat, ju nuk u larguat, ju nuk heshtët dhe kjo, zonja e zotërinj, është forca e vërtetë e demokratëve, qëndresa.
Por le të jemi të sinqertë. Shpesh fjalët tona në këtë podium duken si retorikë politike, si fjalë që vijnë e ikin, por jeta e shqiptarëve nuk është retorikë, ajo është realitet. Përditshmëria është e ashpër, varfëria është rritur dhe shpresa është e lodhur. Qytetarët tanë po shtyhen çdo ditë e më shumë drejt varfërisë.
Hapësirat e lirisë po ngushtohen. Të rinjtë po ikin, të moshuarit po harrohen, nënat po sakrifikojnë. Familjet mezi po mbijetojnë dhe pikërisht këtu, zonja dhe zotërinj, na dalin përpara shembulli i gjallë i kësaj padrejtësie. Minatorët e minierës së Spaçit në Mirditë. Këta burra të ndershëm e fisnikë që protestojnë për dinjitetin të mohuar, janë simbol i sakrificës shqiptare.
Ata nuk kërkojnë lëmoshë, por ata kërkojnë drejtësi. Dhe kur një shtet i kthen shpinën atyre që kanë sakrifikuar çdo ditë në thellësinë e tokës, atyre që e kanë mbajtur mbi supe pasuritë e këtij vendi, atëherë ky nuk është më shteti i qytetarëve, por shteti i pushtetarëve. Zëri i Spaçit sot është zëri i çdo shqiptari që kërkon respekt dhe trajtim të barabartë.
Unë nuk jam ekonomiste në profesion, por kjo nuk më pengon të kuptoj se çfarë do të thotë propaganda dhe çfarë do të thotë realiteti. Sepse shqiptari zgjohet çdo ditë me realitetin që propaganda mundohet ta fshehë. Secili prej jush sot këtu, por dhe çdo qytetar, është njohur ditët e fundit me retorikën e mazhorancës për buxhetin. Buxheti më i madh në histori, suksesi i reformave dhe ku di unë çfarë tjetër. Por askush nuk mund të thotë se çfarë përfitojnë qytetarët.
A ka rritje pagash? Jo, nuk ka. A ka rritje pensionesh? Po, ka, por me shifra tallëse dhe fyesë. A e dini ju sa i rritet pensioni një pensionisti në fshat? Vetëm 200 lekë të vjetra në ditë. Dhe kjo është më shumë se fyesë, kjo është poshtërim. Sot në kuvend do të diskutohej propozimi i Partisë Demokratike për vendosjen e minimumit jetik dhe mazhoranca jo vetëm nuk e pranoi, por refuzoi të debatojë mbi të.
Ne kemi propozuar minimumin jetik 200 euro në muaj, poshtë të cilit askush nuk mundet dhe nuk duhet të jetojë. Por mazhoranca thotë se ka në buxhetin e vet 1.8 miliardë euro për familjet në nevojë dhe kjo shifër përkthehet vetëm 36.000 lekë të vjetra në muaj. Pra, ne themi minimalisht 200 euro në muaj, mazhoranca thotë 36.000 lekë të vjetra në muaj.
Ja ku është dallimi. Ja ku ndahet e drejta nga e padrejta. Ja ku ndahet qeverisja për njerëzit nga qeverisja për xhepat e pushtetarëve dhe kjo është pasqyra, ky është realiteti se çfarë përfaqëson Partia Demokratike dhe çfarë përfaqëson Partia Socialiste. Në shifra është buxheti më i madh, por ato shifra nuk vijnë tek ju, shkojnë tek xhepat e pushtetarëve. 50 milionë euro vodhi Belinda Balluku vetëm me një firmë në tunelin e Llogarasë.
80 milionë euro me dy tecet lundruese. 180 milionë euro me tendrin e shitblerjes së energjisë. Po këto nuk janë thjesht shifra. Këto janë ditë, jetë të marra qytetarëve. Këto janë e ardhmja e vjedhur e fëmijëve tanë, këto janë mundësitë e shkatërruara.
Gazeta RD