Deputeti Belind Këlliçi tha para protestuesve se, ky aksion politik do të çojë në përgjegjësi ligjore kryeministrin Edi Rama dhe ministra të kabinetit të tij, duke parashikuar një fat të ngjashëm me atë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Këlliçi paralajmëroi se ajo që ai e quajti “media e regjimit” do të tentojë të helmojë opinionin publik mbi organizimin dhe mesazhet e protestës. Megjithatë, ai shprehu bindjen se kjo nismë do t’ia dalë, duke sjellë në vëmendje dy raste të mëparshme.
Belind Këlliçi: Të nderuar qytetarë, mirëmbrëma! Të rinj, të reja, qytetarë, demokratë, qëndrestarë që keni ardhur sot në këtë foltore të parë parlamentaro-qytetare, e cila për një minutë do të duhet të marrë një shpjegim për të gjithë ata që na ndjekin, që janë këtu, por ata që sonte në mbrëmje, duke filluar nga orët e vona të natës, do të helmohen në mënyrë permanente nga mediat e regjimit për organizimin, për pjesëmarrjen, për njerëzit, për mesazhet e shumë e shumë çështje të tjera.
Arsyeja pse kjo foltore do t’ia dalë është se kemi dy precedentë. Mos harroni, foltoren e parë në shtator të vitit 2021, kur Shqipëria kërcënohej të lihej pa opozitë. Ishte një foltore e parë e drejtuar nga doktor Berisha që riktheu shpresën në Partinë Demokratike dhe ia doli të shpëtojë opozitën vetëm brenda tre muajsh. Ishte një foltore që nisi me 1/100 e njerëzve që janë sot prezent këtu dhe përfundoi në Kuvendin Kombëtar të rithemelimit të Partisë Demokratike në stadiumin kombëtar Air Albania, të mbushur si kurrë më parë.
Dhe ia doli t’i rikthejë shpresën qytetarëve dhe të mbajë në këmbë Partinë Demokratike. Ka një precedent të dytë, të dashur miq. Në 14 maj të vitit 2023, u organizuan zgjedhjet më të pabarabarta që janë mbajtur ndonjëherë në Shqipëri, ku kandidatët e Partisë Demokratike garuan pa fonde, pa mbështetje, pa komisionerë, pa gjysmën e numëruesve, pa minutazh mediatik, pa emrin e kryetarit të tyre në fletën e votimit, dhe morën 500.000 vota. Dhe pak muaj më pas nisi seria e denoncimeve të asaj që ishte kthyer Bashkia e Tiranës të 5D-së.
I nisën protestat para Bashkisë Tiranë në prill të vitit 2024. Për 44 javë, në shi, në diell, më pak se 1/10 e atyre që jemi sonte këtu, kemi protestuar, jemi anatemuar, jemi përbaltur, jemi goditur, na kanë quajtur të shitur, nuk kanë lënë gjë pa shpikur dhe janë të njëjtat media që sulmuan PD-në dhe herën e parë në 2021-shin, e sulmuan prapë në 2023-shin dhe protesta jonë ia doli që për 11 muaj Erjon Veliajn, kreun e 5D-së dhe pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, ta përcillte në burgun e Durrësit. Ndaj kujdo që ka sot një pikëpyetje, kujdo që mendon se kjo foltore nuk do t’ia arrijë qëllimit, i bëj me dije se përfundimi i këtij aksioni politik do të jetë po njëlloj. Belinda Balluku dhe Edi Rama do të shkojnë te miku i tyre Erjon Veliaj. Sepse ne këtë protestë nuk do ta ndalim, sepse në këtë foltore do të dalin të gjitha ato të vërteta të cilat në dy muaj me radhë në parlament na janë mohuar.
Gazeta RD