Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve zhvilloi një takim të rëndësishëm pune me përfaqësues të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, në kuadër të misionit të monitorimit të zbatimit të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri.
Delegacioni i Shoqatës, i kryesuar nga Presidenti Fisnik Qosja, prezantoi një panoramë të detajuar të sfidave dhe problematikave që përballet pushteti vendor në vend. Takimi u udhëhoq nga raportuesit e Kongresit, z. Anders Knape dhe z. Sören Schumacher.
Gjatë prezantimit u nënvizuan shqetësime të rëndësishme, përfshirë:
- autonominë e kufizuar të njësive të vetëqeverisjes vendore,
- mungesën e decentralizimit të plotë financiar,
- ndërhyrjet e paligjshme në kompetencat e bashkive,
- vështirësi që pengojnë funksionimin efektiv të institucioneve vendore.
Presidenti Qosja sqaroi gjithashtu para raportuesve se pretendimet e disa organizatave për “asimilimin” apo mosekzistencën e Shoqatës janë të pavërteta. Ai theksoi se Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve vazhdon të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, në mbrojtje të interesave të pushtetit vendor.
Përfaqësuesit e Kongresit vlerësuan transparencën e delegacionit dhe dëgjuan me interes çështjet e ngritura gjatë diskutimit.
Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve riafirmoi angazhimin e saj për forcimin e vetëqeverisjes vendore, funksionalitetin e pushtetit lokal dhe avancimin e proceseve që i shërbejnë integrimit evropian të vendit.
Gazeta RD