Nga Ndriçim KULLA
Sot në Tiranë po zhvillohet spektakli i integrimit europian (imagjinar, sepse proces të vërtetë nuk ka) i cili ka për qëllim kryesor të mbajë gjallë imazhin e gënjeshtërt të integrimit europian, i cili ka rreth 13 vjet rresht dhe nuk ka përshkruar asgjë nga rruga e tij thelbësore që duhej të përshkruante.
Komisionerja znj. Marta Kos i është bashkuar këtij spektakli me skenarist dhe regji të regjimit shqiptar. Në pamundësi për të përmbushur kriteret dhe parimet që janë të detyrueshme për t’u çelur porta që qytetarët shqiptarë të hyjnë lirshëm, ai ka zgjedhur që gjithë procesin ta zëvendësojë me një spektakël.
Duke pasur parasysh parimet dhe vlerat që ndan Bashkimi Europian me vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e paktit të përbashkët me të gjitha vendet anëtare, më duket se i ngjit ajo shprehja që përdorin popujt: “Shosh dhe mos gatuaj.” E them këtë i bindur plotësisht, duke u nisur nga puna e madhe që duhej të bëhej për të arritur tek akti final i ratifikimit të marrëveshjes së anëtarësimit, si nga strukturat e Parlamentit Europian ashtu edhe nga 27 vendet anëtare të këtij komuniteti.
Ka disa kohë që kryeministri i Shqipërisë, alias kreu i regjimit, është shfaqur befas i përmalluar, duke përfshirë emocionalisht edhe lotët në procesin e braktisur të integrimit europian të vendit dhe po paralajmëron nga dita në ditë një rezultat spektakolar, pa bërë asnjë bilanc dështues nga ato që janë caktuar si detyrat e shtëpisë. Me hapat e këtij lloj integrimi që ai ka mbrujtur publikisht opinionin, të krijohet përshtypja se e ka ndarë procesin e avancimit të integrimit ngjashmërisht me ato projektet e devijuara të rrugëve që ndërton, të cilat i ka bërë lote-lote dhe nga loti në lot shton kostot dhe harxhimet, por paralelisht me to shton edhe reklamat dhe promovimet e tyre.
Zhurma e integrimit është kthyer në një proces rutinor më vete, ku sundon spektakli i fotove dhe fjalimeve populiste, dhe në fakt, këtë punë di ta bëjë më mirë se askush. Procesi i zhurmës së integrimit, që ka filluar të bëhet që nga Brukseli dhe deri në Tiranë, nuk është gjë tjetër veçse një mesazh tërësisht i gënjeshtërt që nuk ka asgjë brenda, përveç ambalazhit që ai përpiqet t’iu transmetojë njerëzve si manipulator i rangut më të lartë që është.
Përfshirja e Komisionit Europian dhe personalisht e komisioneres Marta Kos në fluturimet e befta të Edi Ramës mbi procesin bosh të integrimit europian të Shqipërisë, duke bërë vlerësime dhe propagandë për një realitet virtual që nuk i korrespondon fare realitetit social-politik dhe gjendjes së demokracisë në Shqipëri, përkundrazi, e bën edhe më të madh dyshimin e fshehjes së arsyes së vërtetë të përfshirjes së burokratëve të Brukselit në kapërcimin e shumë kritereve dhe parimeve të nevojshme që duhej të respektoheshin hap pas hapi në këtë proces.
Dhe s’ka si të mos bësh pyetje të tilla për të kuptuar më mirë të vërtetën:
A janë magjepsur kaq shumë nga telajoja madhështore e drejtuesit të regjimit, që u ka varur para syve zyrtarëve të Komisionit të Integrimit në Bruksel?
Ka arsye të thella korruptive nga korruptuesi i McGonigal-it dhe, çfarëdo që të thuash për realitetin që ka krijuar narkodiktatura e tij në Shqipëri, ata ndihen të verbuar nga fijet e interesave dhe vazhdojnë axhendën e tyre qoftë edhe të gabuar?!
Janë verbuar nga gjarpri i ideologjisë sorosiane Woke e cila vazhdon axhendën e saj edhe në Komisionin Europian?
Apo çdo gjë vazhdon kështu për inerci, në mënyrë që të mbrohen kurrikulat e ambasadorëve dhe burokratëve të Brukselit me investimet e gabuara në Tiranë për 13 vjet, ku po vazhdojnë ende eksperimentin makabër me demokracinë, lirinë politike dhe shtetin e së drejtës?!
Nuk përjashtohet mundësia që të jenë të katërta këto arsye, meqenëse regjimtari i Tiranës e ka zëvendësuar kulturën politike me risi të tilla që i shfrytëzon në shërbim të jetëgjatësisë së pushtetit të tij.
Ne e duam integrimin më shumë se çfarëdo burokrati europian si Marta Kos apo ambasadori Gonzato, por me ato ide dhe parime që e kanë mbrujtur etërit themelues të Europës dhe jo të përfundojë në një shkarravinë sipas kritereve të shtrembëruara të burokratëve të tjerë në Bruksel.
Po a mund të ketë integrim pa çmontuar regjimin e narkotrafikantit Edi Rama që ka kapur shtetin dhe që ambasadori Gonzato e sheh, nuk e raporton me transparencë në Bruksel dhe nuk denjon as ta pranojë?!
Sa më e gjatë të bëhet pengmarrja, aq më e koklavitur do të bëhet çështja e integrimit të Shqipërisë.
Natyrisht që Komisioni Europian, punën që po bën tani në lidhje me aktivitetin e integrimit të Shqipërisë në BE, e ka formalisht të ligjshme, sepse e ka të mbështetur tek drita jeshile që i ka dhënë kohë më parë Parlamenti Europian, por edhe te progres-raportet njëvjeçare të BE për Shqipërinë, të cilat megjithatë nuk kanë pasqyruar gjendjen politike të realitetit, nivelin e drejtësisë së kapur nga shteti, gjendjen e demokracisë së shkatërruar, shtypin e monopolizuar dhe probleme të tjera serioze, për të cilat mënyra që është zgjedhur për t’i anashkaluar të shpjegon qartë dhe pa hezitim se kemi të bëjmë me një flirtim të gabuar të Komisionit Europian me qeverinë e narkodiktaturës shqiptare.
Ka referenca të tmerrshme nga qeveritë perëndimore që nuk e quajnë të ligjshme këtë qeveri, ndonëse marrëdhëniet, si vend i NATO-s që jemi, janë mjaft komplekse për një qëndrim më distancues dhe të ashpër.
Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, i denjë për nivelet e diktaturave, duhej të kishte vlera orientuese sidomos për Komisionin Europian.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë asnjë mesazh urimi, në shenjë distancimi, për legjitimitetin e zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri. Gjithashtu, nga 27 qeveritë e BE kanë munguar urimet e tyre sipas protokollit zyrtar.
Integrimi europian nuk ka bërë asnjë metër rrugë nga qeveria 13-vjeçare e sundimit të “zotit të vërtetë të integrimit”, siç e quan veten kreu i regjimit, i cili tani është zgjuar gjoja i alarmuar për integrimin e braktisur nga vetë qeveria e tij, duke lëshuar rrufe dhe bubullima në qiellin e pastër, se gjoja ka zbuluar magjinë e integrimit të sigurt deri në vitin 2030, në mos më shpejt.
Kjo që përpiqet të vizatojë Edi Rama me disa nga burokratët e Komisionit Europian nuk është integrim. Kjo është një grackë.
Është tamam një tokë e dhënë me qira e cila po shitet si pronësi shtëpie.
Projekti më i mirë europian për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, të cilin qeveria e Edi Ramës e braktisi në heshtje, ishte Agjenda e Bundestagut gjerman.
Ky projekt, për të cilin u investuan drejtpërdrejt Gjermania me qeverinë dhe parlamentin e saj, ishte larg së qeni një projekt festiv për integrimin europian të Shqipërisë. Ai ishte serioz, i vërtetë, gjithëpërfshirës dhe me kushte të përcaktuara qartë, të cilat buronin nga realiteti politik dhe demokratik i Shqipërisë, që tashmë po injorohen dramatikisht.
Agjenda e dikurshme e Bundestagut është marrëveshja që Europa ka bërë me popullin shqiptar, me dëshirën dhe pritshmërinë e tij karshi integrimit europian. Ajo duhet ringjallur. Duhet ringjallur me çdo kusht prej nesh.
Gazeta RD