DEKLARATË PËR MEDIA ZËDHËNËSJA E PD, FLORIANA GARO
Dje, në mbyllje të vizitës në Tiranë, zonja Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin në Komisionin Europian, deklaroi se zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme.
Partia Demokratike e Shqipërisë denoncon këtë deklaratë të zonjës Kos si absolutisht të pavërtetë, skandaloze, korruptive, si shkelje të rëndë të ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar për vlerësimin të zgjedhjeve.
Kjo deklaratë e zonjës Marta Kos, e frymëzuar nga motive ideologjike të ekstremit të majtë, apo dezinformimi, apo propaganda e paguar e mikut të saj Edi Rama, vjen në kundërshtim flagrant e të hapur me deklaratën dhe Raportin paraprak të datës 12 maj 2025 të misionit të përbashkët të vëzhguesve të OSBE/ODIHR/PACE/PE të vëzhgimit të zgjedhjeve të datës 11 majit 2025 në Shqipëri, si dhe raportet e veçanta përfundimtare të këtyre misioneve për zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri, paraqitur në seanca publike pranë institucioneve që vëzhguesit përfaqësonin.
Një deklaratë të tillë, nga dita e zgjedhjeve deri sot, nuk e kanë bërë asnjë nga vëzhguesit vendas të këtyre zgjedhjeve; madje, përveç Edi Ramës dhe Taulant Ballës, as dhe Belinda Balluku apo Elisa Spiropali apo ndonjë eksponent tjetër i partisë-shtet.
Me deklaratën e saj, zonja Kos ka shkelmuar një rregull të ligjit ndërkombëtar, i cili detyron zyrtarët e lartë të institucioneve ndërkombëtare dhe të qeverive të vendeve anëtare të institucioneve të vëzhgimit që në vlerësimet e tyre për zgjedhjet e një vendi të bazohen në vlerësimin e këtyre zgjedhjeve në raportet zyrtare të misioneve të besimit të mirë që ato kanë dërguar për vëzhgimin e tyre.
Këto misione, të gjitha pa përjashtim, në raportet e tyre deklarojnë se zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri u zhvilluan në fushë të pabarabartë dhe se u shua vija ndarëse midis partisë dhe shtetit. Kjo, sepse, për të fituar zgjedhjet, qeveria, në kundërshtim me ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet, përdori të gjitha burimet: financiare, njerëzore, logjistike, vendimmarrëse, ekzekutive, krimin e organizuar dhe kontrollin e mediave.
Kështu, sipas raporteve të vëzhguesve ndërkombëtarë, për të ndikuar te zgjedhësit, qeveria:
1 — Organizoi 4530 aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare në periudhën kur nuk e lejonte ligji, përfshirë këtu ditën e zgjedhjeve, madje përfshirë këtu edhe angazhimin direkt të zonjës Kos në shkelje të ligjeve në fushatën e Edi Ramës dhe dhuratën e saj elektorale.
2 — Përdori zyrtarët e administratës publike si patronazhist dhe aktivistë të saj për të kontrolluar votën e qytetarëve.
3 — Për të ndikuar te zgjedhësit gjatë fushatës, ajo dhuroi nga 100 euro për 730 mijë pensionistë; fali gjobat dhe kamatëvonesat për 10 vitet e fundit, që provohet se arrijnë në 1.7 miliard euro dhe nga të cilat përfitojnë mbi 209 mijë biznese dhe familje; ajo licencoi mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis; katërfishoi fondet për fermerët; firmosi me dhjetëra mijëra legalizime, certifikata pronësie, leje ndërtimi e punësime të përkohshme; bëri mbi 500 milion euro prokurime publike elektorale; dhe se pati blerje të përhapur të votave, e në një seri qarqesh bandat kriminale u përdorën për të mbledhur vota për partinë në pushtet.
Partia Demokratike shton se zonja Marta Kos, përveç pjesëmarrjes në fushatën elektorale të mikut të saj Edi Ramës, në kundërshtim të hapur me realitetin, në mënyrë të përsëritur deklaron për progres “të paprecedent” të Shqipërisë në procesin e integrimit në BE. Në të vërtetë ky progres është imagjinar, pjellë e shëmtuar e dezinformimit apo propagandës së paguar të Edi Ramës. Analiza e pavarur e konvergjencës nga institute serioze europiane provon të kundërtën e asaj çka deklaron zonja Kos.
Partia Demokratike, lokomotivë kryesore e integrimit të vendit në BE, mbështet plotësisht këtë proces të bazuar në meritë si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve. Por ajo deklaron para qytetarëve shqiptarë dhe të vendeve anëtare të BE se Shqipëria sot, përveç kriterit gjeostrategjik, nuk plotëson asnjë kriter apo standard tjetër të procesit të integrimit europian. Ajo është aktualisht narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, eksportues i rrezikshëm i krimit të organizuar në Europë dhe më gjerë, eksportues kryesor i kanabisit; klanet shqiptare të drogës kontrollojnë tregun e kokainës në Europë.
Sipas Eurostat, nga viti 2014–2023, vetëm në zonën Shengen kanë emigruar 1.1 milion qytetarë të saj; ajo është vendi në të cilin, sipas Bankës Botërore, 41% e popullsisë jeton në varfëri ose rrezik varfërie.
Partia Demokratike, duke shprehur mirënjohje dhe respekt për BE, Komisionin dhe Parlamentin Europian, për ndihmën bujare e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë nga vitet ’90 deri sot, beson se njohja e realitetit dhe jo fshehja e tij, plotësimi i kritereve dhe standardeve të BE dhe jo mashtrimi propagandistik i paguar për suksese imagjinare, është interesi më i mirë i shqiptarëve dhe qytetarëve të vendeve anëtare dhe institucioneve të BE.
Gazeta RD