Denoncimi/ Balluku dhe Ceno Klosi nën hetim për pasurinë

SPAK regjistron procedim penal ndaj Belinda Ballukut dhe Ceno Klosit, pas një kallëzimi penal të depozituar nga Kryetarja e Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit pranë Partisë Demokratike, Adriana Kalaja. Akuza është korrupsion dhe ndikim i paligjshëm ndaj zyrtarëve të lartë dhe kallëzuesja kërkon nisjen e hetimeve ndaj disa zyrtarëve të lartë, përfshirë Belinda Ballukun dhe Ceno Klosin.

SPAK ka njoftuar nisjen e procedimit penal Nr. 95 të vitit 2025, që ka në fokus hetimin e pasurisë së ish-ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, e pezulluar aktualisht nga detyra, si dhe të ish-kreut të Tatimeve dhe deputetit të PS, Ceno Klosi. Prokuroria e Posaçme ka administruar edhe materiale shtesë të protokolluara më 16.09.2025, të cilat janë bashkuar në dosjen e hetimit. SPAK po verifikon ligjshmërinë e pasurisë së dy funksionarëve të lartë dhe çdo element që lidhet me aktivitetin e tyre gjatë ushtrimit të detyrës.
Institucioni bën me dije se çështja ndodhet në fazën e hetimeve paraprake, ndërsa vijon grumbullimi dhe analizimi i provave për ndriçimin e plotë të rrethanave. Ceno Klosi, i konsideruar i afërt dhe bashkëpunëtor i ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, është vënë nën hetim sipas raportimeve publike për dyshime mbi abuzime financiare gjatë ushtrimit të funksioneve të ndryshme shtetërore, ndërsa rasti i tij po krahasohet nga mediat me atë të ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, i cili u hetua dhe u arrestua pas akuzave për përfitime të paligjshme me tendera.
GJKKO ka vendosur të vazhdojë masat e sigurimit ndaj Belinda Ballukut, duke e mbajtur të pezulluar nga detyra dhe me ndalim për të dalë jashtë shtetit, pasi SPAK e ka marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tenderat e Tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe. Gjykata arsyeton se masa është e nevojshme për të shmangur ndikimin tek provat dhe dëshmitarët, si dhe rrezikun e abuzimit me fondet publike. Paralelisht, masat e “arrestit në shtëpi” u konfirmuan edhe për zyrtarët Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
SPAK e akuzon Ballukun dhe vartësit e saj se kanë manipuluar tenderat me vlerë totale 210 milionë euro, duke favorizuar fitues të paracaktuar në dy procedura të mëdha publike. Hetimet tregojnë dyshime se tenderi i Tunelit të Llogarasë u anulua dhe u rihap në kushte të dyshimta, ndërsa tek Unaza e Madhe janë skualifikuar të gjitha ofertat më të ulëta për t’i hapur rrugë një operatori të vetëm. Të dyja procedurat janë cilësuar me rrezik të lartë abuzimi dhe vijojnë të hetohen në kuadër të dosjeve të bashkuara të SPAK.

About Krye Redaktor

Check Also

“”Piçkla e vogël” e Kumbaros/ Tare: Duhen futur njerëz në burg, janë falsifikuar dokumenta

Studiuesi Auron Tare për abuzimet e ndërtimeve në bregdetin e jugut e veçanërisht në Gjirin …