Ky pushtet është në cep të greminës, është momenti t’i japim shtytjen e fundit!

Opozita shqiptare po organizon Foltoren e dytë, kësaj here përpara kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Foltorja parlamentaro-qytetare ka bërë bashkë dhe anëtarë të opozitës. Anisa Ibraj, Sekretarja për Rininë në Partinë e Lirisë tha se, sot jemi këtu sepse Shqipëria nuk është e vjedhësve, e të paprekshmëve, e atyre që e shohin Shqipërinë si pronë personale.

Ky vend është i yni. Dhe vetëm ne të bashkuar mund ta ndryshojmë rrjedhën e historisë.

Fjala e Anisa Ibrajt

“Mesa duket tuneli i Llogarasë nuk paska pasur dritë në fund të tij, por hekura. Për “Belen e pushtetin e kapur” që prej 12 vitesh po na shet zhvillim ndërsa realiteti është thjesht vjedhje.

Zv.kryeministrja e Shqipërisë është pezulluar nga detyra e saj, nga SPAK për korrupsion, dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut të një sistemi të kalbur.

Ndërkohë që numri dy i qeverisë mblidhte miliona, shqiptarët jetojnë në varfëri të thellë.

Ndërkohë që ajo nuk ngopej me para, prindërit tanë ikën të lodhur, të zhgënjyer, duke kaluar kufijtë për të na siguruar ne një shans të vogël për të ardhmen.

Ndërkohë që qeveria vjedh miliona nga inceneratorë inekzistentë, spitalet tona nuk kanë ilaçe, onkologjiku pret mrekullinë dhe jo mbështetjen e shtetit. Sa familjarë humbën të dashurit e tyre nga këta hajdutë që nuk u ngopën kurrë.

Dhe ndërkohë që Bela me shokë kërcenin nëpër famën e tallavasë së korrupsionit, të rinjtë tanë më të talentuar u detyruan të largoheshin, sepse ëndrrat e tyre ua vodhën këta.

Ne jemi sot këtu për bashkëmoshatarët tanë që rrezikuan jetën me gomone, që u nisën në errësirë me shpresë dhe shumë prej tyre nuk u kthyen më.

Jemi këtu për ata që u futën në burg për një gardh pa leje, për ata që u futën në burg për dy-tre fatura dritash pa paguar, jemi këtu për ata që u premtuan falje në 2013 por nuk zgjati shumë e kthyen Shqipërinë në ferr.

Jemi këtu për gjyshërit tanë, brezin që ndërtoi këtë vend me mund, me djersë dhe sakrificë, por sot trajtohet me pensione qesharake, sikur kontributi i tyre të mos kishte vlerë.

Jemi këtu për prindërit tanë që lanë shtëpinë me dhimbje, me kokën kthyer pas dhe me zemrën e thyer, duke u larguar vetëm e vetëm që ne të mos na mungojë asgjë.

Jemi këtu për sistemin arsimor të dështuar ku renditemi të fundit në rajon, me 60% të rinisë analfabet. Tregon qartë dhe në radhët e Partisë Socialiste ky sondazh.

Jemi këtu dhe për Martinin e sa të tjerë si ai, që nuk i mbrojti askush e fajtor është ky sistem hajdutësh.

Jemi këtu për familjen që e kemi të shenjtë e duan të na e prekin me ligje që dalin kundër traditave tona.

Tani ose çohemi, ose humbasim gjithçka.

Ky pushtet është në cep të greminës, dhe sot është momenti t’i japim shtytjen e fundit.

Për një vend ku nuk duhet të ikësh sa më shpejt të jetë e mundur.

Për një Shqipëri me mundësi e të ardhme të sigurt.

Sot jemi këtu sepse Shqipëria nuk është e vjedhësve, e të paprekshmëve, e atyre që e shohin Shqipërinë si pronë personale.

Ky vend është i yni. Dhe vetëm ne të bashkuar mund ta ndryshojmë rrjedhën e historisë.

Sot flasim, sot ngrihemi dhe sot tregojmë se Shqipëria ka ende zemër dhe gjak shqiptar që nuk pranon të nëpërkëmbet nga këta që ditët i kanë të numëruara.

About Redaksia

Check Also

“Al Jazeera” jehonë revoltës/ Kërkohet largimi i Ramës pas akuzave për korrupsion

Media e fuqishme ndërkombëtare më e madhja në Azi, “Al Jazeera” i ka kushtuar vëmendje …