Sot shënohen 6 vite nga tërmeti shkatërrimtar i 26 Nëntorit 2019, që la pas dhjetëra viktima dhe mijëra banesa të shkatërruara në Durrës dhe rrethinat. Edhe pse premtimi i qeverisë ishte ndërtimi i një lagjeje të re për familjet e prekura, realiteti në terren tregon se shumë gjëra kanë mbetur pezull.
Lagjja e re e Spitallës, e ndërtuar me 85 pallate dhe 996 apartamente, financuar nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare, pritet të strehojë rreth 4 mijë qytetarë.
Megjithatë, deri tani, shumë banorë nuk kanë mundur të zhvendosen në banesat e reja dhe detyrohen të vazhdojnë të jetojnë me qira, duke përballuar koston e lartë të jetesës dhe pasigurinë.
Banorë të Spitallës tregojnë se infrastruktura dhe shërbimet bazë në lagjen e re nuk janë ende funksionale, ndërkohë që qeveria ka mbajtur një heshtje të gjatë për vonesat e mëdha.
Për opozitën, vonesat dhe mosrealizimi i projektit nuk janë thjesht problem teknik, por tregojnë për mungesë serioziteti dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.
Projekti i Spitallës, që duhej të ishte simbol i rindërtimit dhe shprese për mijëra familje, për shumë banorë mbetet një premtim i pambajtur, ndërkohë që ata vazhdojnë të jetojnë në pasiguri dhe vështirësi.
Banorët e zonës kërkojnë përgjegjësi dhe zbatimin e premtimeve të qeverisë, duke theksuar se kanë kaluar gjashtë vite që nga tragjedia e 26 Nëntorit, por jetesa e tyre mbetet ende e pasigurt dhe e kushtueshme.
Gazeta RD