Mesazhi i ri i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, ku njoftohet një trajnim i specializuar i Gardës së Republikës nga Shërbimi Sekret Amerikan, është një sinjal i qartë se Uashingtoni po investon seriozisht në mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK, në një moment kur presioni, kërcënimet dhe rreziku ndaj tyre është rritur ndjeshëm.

Zyrtarisht, trajnimet janë kryer nga Shërbimi Sekret i SHBA-së në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit, në Budapest. Tetë anëtarë të Gardës së Republikës, të ngarkuar me mbrojtjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare dhe prokurorëve të SPAK, kanë përfunduar një program taktik të nivelit të avancuar, i konceptuar për situata të rrezikut të lartë, atentate, sulme të armatosura dhe operacione të ndërlikuara sigurie.

Por, pas këtij njoftimi teknik, qëndron një realitet shumë më i thellë, se shërbimet amerikane të inteligjencës po rrisin vëmendjen dhe kapacitetet mbrojtëse rreth SPAK-ut, si një aset strategjik në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Në deklaratën e saj, Ambasada e SHBA-së deklaron se ofron edhe pajisje taktike për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë dhe prokurorëve.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri gjithashtu ofron pajisje taktike dhe është krenare që zhvillon trajnime të rregullta me individët e guximshëm që mbajnë të sigurt zyrtarët e drejtësisë në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
Gazeta RD