Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytyr Lezhën që nga mesnata kanë shkaktuar probleme të shumta, veçanërisht në zonat e banuara. Për shkak të vërshimit të ujërave, rrjeti i kanalizimeve nuk ka mundur të përballojë prurjet, duke shkaktuar përmbytje në bllokun e banesave “11 Janari” në lagjen “Besëlidhja”, ku rreth 11.2 hektarë tokë kanë mbetur nën ujë.
Niveli ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke e bërë pothuajse të pakalueshme lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.
Probleme me ujë të akumuluar janë raportuar gjithashtu përgjatë aksit Lezhë–Shëngjin, ku qarkullimi është vështirësuar nga përmbytjet në disa segmente të rrugës.
Moti i keq ka sjellë edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të qarkut, ndërsa ekipet e emergjencës dhe të OSHEE janë në terren për të rikthyer furnizimin dhe për të normalizuar situatën.
Gazeta RD