Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi qeverinë se po përdor në mënyrë të gabuar nenin 103 të Kushtetutës për të pretenduar se ministrat gëzojnë mbrojtje nga pezullimi në detyrë.
Ai tha se, imuniteti i ministrave është i njëjtë me atë të deputetëve, por kufizohet vetëm tek mendimet, votat dhe garancitë ndaj arrestimit apo kontrollit të banesës pa autorizimin e Kuvendit.
Berisha theksoi se, funksioni ekzekutiv i ministrit nuk mbrohet nga Kushtetuta dhe mazhoranca po manipulon dispozitat për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në hetime.
“Neni 103 i Kushtetutës, paragrafi i tretë thotë se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetëve dhe kjo është interpretuar nga disa lakej të qeverisë dhe nga vetë Edi Rama dhe Lubi Balluku si imunitet për pezullimin.
Është absolutisht pa bazë dhe e gënjeshtërt.
Termi imunitet përdoret disa herë në Kushtetutë në kontekstin e mbrojtjes që gëzojnë institucionet të ndryshme kushtetuese si Avokati i Popullit, gjykatësi, etj, ndonëse Kushtetuta nuk ka një përkufizim unik për çdo rast.
Me rastin e deputetit, mbrojtja kufizohet tek mendimet e shprehura në Kuvend. Pra, ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut. Të deputetit.
Pra, mbrojtja kufizohet tek mendimet e shprehura në Kuvend, votat e dhëna, ushtrimin e funksionit në kolegjialitet parlamentar, pra të gjitha këto i mbron imuniteti parlamentar.
Kjo mbrojtje përkthehet në mënyrë specifike nga Kushtetuta si garanci ndaj heqjes së lirisë të çfarëdo forme, kontrolli të banesës pa autorizim të parlamentit.
Për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, imuniteti kufizohet tek mbrojtja për mendimet e shprehura dhe vendimet e dhëna, me kusht që këto të mos jepen për një interes vetjak ose në keqbesim.
Po kështu për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, neni 137, kryetarin e KLSH, neni 65, Avokatin e Popullit, neni 61/3, në të gjitha këto raste, mbrojtja që jep Kushtetuta është specifike.
Pra ajo i përcakton fushat ku shtrihet mbrojtja.
Në rastin e deputetit, mbrojtja përfshin dy kategori. Heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme pa autorizim të Kuvendit. Kontrollin e banesës pa autorizim të Kuvendit.
Kurse funksioni i ministrit nuk është asnjëlloj e drejte themelore e njeriut.
Nuk përfshihet kërrkund veçse në mendjen e sëmurë të hajdutëve Rama-Balluku.
Mbrojtja quhet e plotë nëse respektohen këto dy kategori. Pra liria në çfarëdo dhe kontrolli i banesës.
Por ushtrimi i një detyre ekzekutive nuk është pjesë e funksionit normal të deputetit si një i zgjedhur me ligj elektoral, dhe për pasojë, mbrojtja nga pezullimi në detyrë nuk është përfshirë në garancitë kushtetuese.
Këta shkojnë edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin e mbajnë përpjetë.
Guxojnë edhe t’i drejtohen gjykatës pasi janë kapur me presh në dorë”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD