Gjekmarkaj për deklaratën e Kos: Raporti i OSBE/ODIHR e rrëzon pretendimin për zgjedhje të ndershme

Nënkryetari i PD, deputeti Agron Gjekmarkaj, ka reaguar mbi deklaratës së Komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, e cila gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama u shpreh se zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë “të lira dhe të ndershme”.

I ftuar në News24, Gjekmarkaj u shpreh se kishte zhvilluar një bisedë paraprake me komisioneren Kos, në praninë e ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, para daljes së saj publike. Sipas tij, ai kishte paraqitur të gjitha shqetësimet e opozitës lidhur me procesin zgjedhor, por deklarata e mëvonshme e komisioneres e kishte habitur.

“Unë pata mundësi të flas me zonjën Kos në praninë e ambasadorit Gonzato para asaj deklarate dhe të shpreh shqetësimet e opozitës. Të gjitha problemet e mëdha që shqetësojnë sot vendin dhe opozitën,” tha ai, duke theksuar se qëndrimi i saj publik ishte i papritur.

“Deklarata e saj për zgjedhje të lira e të ndershme më la pak të surprizuar, sepse nuk e prisja që ajo të hiqej si një lexuese e njëanshme e raportit të OSBE/ODIHR,” shtoi Gjekmarkaj, duke nënvizuar se nuk ishte etike të zbulonte detaje të bisedës së zhvilluar.

Deputeti demokrat tha se raporti zyrtar i OSBE/ODIHR përmban kritika të rëndësishme, të cilat, sipas tij, bien ndesh me vlerësimin e komisioneres Kos. Ai theksoi se ky raport dokumenton probleme serioze të procesit zgjedhor që, sipas opozitës, vënë në pikëpyetje standardet e zgjedhjeve.

“Deklarata e saj, ku tha se kemi pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërkohë që raporti i OSBE e rrëzon këtë. Zonja Kos duhet t’ia kursente vetes dhe Shqipërisë një koment të tillë, që dukej më shumë si favor për kryeministrin,” u shpreh Gjekmarkaj.

About Redaksia

Check Also

Manifest ideor i të djathtës shqiptare (vazhdim)

Nga Nikola KEDHI IIC. Shteti i së Drejtës: Ligji si kufi i pushtetit, jo si …