Veprimtari model për 28 Nëntorin

Nga Enver Memishaj

1. 28 Nëntori – Dita simbol e kombit shqiptar

Çdo 28 Nëntor, dita kur flamuri kombëtar valëvitet më krenar se kurrë, Vlora si krenaria e kombit shqiptar, aty ku u ngjiz liria, mëvetësia dhe Pavarësia, bëhet më krenare se kurrë. Është dita e shenjtë e Pavarësisë, një datë që nuk njeh kohë, ideologji apo përkatësi politike, sepse u takon të gjithëve. Kjo është dita kur Ismail Qemal Vlora, në vitin 1912, ngriti flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare, flamurin e Gjergj Kastriotit, në Vlorë, duke vulosur lindjen e shtetit të parë shqiptar. Pikërisht kjo atmosferë e dritës, respektit dhe solemnitetit shënoi edhe këtë vit 113-vjetorin e Pavarësisë në qytetin simbol të historisë sonë.

2. Forma e veçantë e kremtimit të 113-vjetorit: Muzeu “Kosova”, tradita e katër viteve të fundit

Deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj, e ka bërë traditë që këtë ditë ta kremtojë me peshën dhe madhështinë që meriton. Për të, 28 Nëntori nuk është thjesht një përvjetor, por një amanet atdhetar që kërkon nderim, kujtesë dhe ringjallje të vlerave kombëtare. Qysh prej katër vitesh, ai zgjedh ta zhvillojë veprimtarinë kryesore të kremtimit të itës së Pavarësisë në një mjedis që pasqyron simbolikën e qëndresës dhe kulturës shqiptare: Muzeun “Kosova”. Ky muze, i ndërtuar dhe i kuruar me investimin personal të deputetit Leskaj, qëndron në zemër të qytetit, pranë Sheshit të Flamurit, aty ku historia shqiptare ka qenë më e gjallë dhe më vendimtare.

Muzeu është shndërruar tashmë në një qendër graviteti kulturor, ku bashkohen studiues, personalitete të historisë, të rinj, intelektualë dhe dashamirës të kulturës. Aty ku para një shekulli u vendosën themelet e shtetit shqiptar, sot ngrihet një hapësirë e re kujtese, që gjithmonë në 28 Nëntor merr jetë me aktivitete të rëndësishme.

Në aktivitetet e organizuara me rastin e 28 Nëntorit, “Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit”, morën pjesë dhe nderuan me praninë e tyre një sërë personalitetesh të rëndësishme të Partisë Demokratike. Atmosfera festive dhe domethënëse e kësaj dite u pasurua më tej nga angazhimi dhe mesazhet e përfaqësuesve të PDSH-së, të cilët u bashkuan në këtë aktivitet të vecantë në nderim të historisë dhe simboleve kombëtare.

Në këtë kuadër, aktivitetet u nderuan nga pjesëmarrja e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët me praninë dhe fjalët e tyre theksuan rëndësinë e Ditës së Pavarësisë dhe vlerën e sakrificave të rilindasve dhe patriotëve shqiptarë. Ndër të ftuarit e veçantë ishte nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Luciano Boçi, i cili shprehu mirënjohje për qytetarët vlonjatë dhe vuri në pah detyrimin moral që politika ka ndaj idealeve të 28 Nëntorit.

Aktiviteti u përshëndet nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, z. Flamur Noka, i cili foli për domosdoshmërinë e mbrojtjes së vlerave kombëtare dhe sfidat me të cilat përballet sot vendi. Deputeti z. Luan Baçi, me mesazhin e tij, theksoi qëndrueshmërinë historike të Vlorës si djep i pavarësisë dhe rëndësinë që ka bashkimi i qytetarëve në mbrojtje të identitetit kombëtar.

Prania e tyre i dha aktiviteteve të 28 Nëntorit një dimension të veçantë ceremonial dhe institucional, duke reflektuar respektin e Partisë Demokratike për historinë, kulturën dhe kontributin e Vlorës në aktet më të rëndësishme të shtetformimit shqiptar. Aktivitetet u zhvilluan në një atmosferë dinjitoze, me simbolikë të fortë kombëtare dhe me pjesëmarrje të gjerë qytetare, duke i dhënë këtij përvjetori një vlerë të shtuar në planin politik dhe shoqëror.

3. Tre aktivitete qendrore për 28 Nëntorin:

3.1. Hapja e ekspozitës “Persekutimi i firmëtarëve të Pavarësisë 1944–1990”

Në këtë 113-vjetor, veprimtaritë nisën me hapjen e ekspozitës “Persekutimi i firmëtarëve të Pavarësisë dhe familjarëve të tyre 1944–1990”, një ekspozitë e përgatitur me mjaft profesionalizëm nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit dhe autori i saj, Leka Ndoja. Ekspozita solli dokumente arkivore, fotografi dhe dëshmi të panjohura gjerësisht për publikun, duke treguar se si shumë nga firmëtarët e Pavarësisë, ata që ndërtuan lirinë, u nënshtruan, më pas ndëshkimit të padrejtë të diktaturës komuniste. Në hapje mbajtën fjalën:

• Drejtori i ISKK, Çelo Hoxha
• Autori i ekspozitës, Leka Ndoja
• Deputeti Bujar Leskaj
• Avokati Kujtim Cakrani
Kjo ekspozitë artikulonte një mesazh të fortë: historia duhet të nderojë jo vetëm arritjet, por edhe sakrificat e të përndjekurve që mbajtën gjallë frymën e lirisë.

3.2. Dy kumtesa shkencore për figurat e mëdha të kombit

Më pas, në të njëjtën atmosferë serioziteti dhe reflektimi, u mbajtën dy kumtesa të rëndësishme akademike. E para, e referuar nga Hysni Sharra, kryetar i PD Vlorë, iu kushtua figurës së Ismail Qemal Vlorës. Kumtesa vuri në dukje jo vetëm rolin e tij si themelues i shtetit, por edhe kulturën e tij politike të papërsëritshme, mençurinë, largpamësinë dhe përkushtimin ndaj idealit të Shqipërisë moderne. E dyta, e mbajtur nga z.Vilson Haxhiraj, i kushtohej patriotit të shquar Osman Haxhiu dhe rolit vendimtar të Luftës së Vlorës 1920, luftë që forcoi pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.

Këto kumtesa, të mbajtura në një mjedis të ngrohtë dhe të ngarkuar emocionalisht, i dhanë aktivitetit një dimension akademik dhe edukues, duke treguar se historia nuk është thjesht festë, por reflektim, analizë dhe mësim për të ardhmen.

3.3. Promovimi i veprës së Uran Butkës “Musine Kokalari – një yllësi”

Një tjetër moment me peshë të veçantë ishte promovimi i librit “Musine Kokalari – një yllësi” të studiuesit Uran Butka, birit të familjes së njohur atdhetare Butka dhe vetë një dëshmitar i persekutimit komunist. Libri është një vepër e thellë që sjell portretin e Musine Kokalarit, e cila u kthye në një simbol të intelektualizmit, emancipimit dhe rezistencës kundër diktaturës. Përmes këtij botimi, studiuesi Uran Butka hedh dritë mbi dramën njerëzore të një gruaje të jashtëzakonshme që pagoi çmimin e rëndë të bindjeve të saj, por mbeti një yll mbi errësirën e kohës.

4. Homazhet te varri i Ismail Qemal Vlorës, Atit të Kombit

Në mbyllje të veprimtarive, në një atmosferë nderimi dhe qetësie solemne, u zhvillua ceremonia tradicionale e vendosjes së kurorave me lule pranë varrit të Ismail Qemal Vlorës. Ky rit, i pandarë nga aktivitetet e deputetit Leskaj, përfaqëson një gjest respekti të thellë ndaj figurës që i dha Shqipërisë identitetin shtetëror. Bujar Leskaj ka qenë prej vitesh ndër zërat më të fuqishëm për promovimin e veprës së Ismail Qemalit; ai ka financuar botime, studime, promovime historike, dhe ka qenë iniciatori i vendosjes së bustit të Atit të Pavarësisë në Prishtinë, duke forcuar lidhjen shpirtërore midis Kosovës dhe Vlorës.

5.Ismail Qemal Vlora, figurë e shenjtë e deputetit Bujar Leskaj

Në fjalët e vetë Leskajt, Ismail Qemali është shembulli i politikanit idealist, i burrit të shtetit që vendosi interesin kombëtar përpara çdo interesi personal. Ai është politikani që themeloi shtetin shqiptar në mungesë të gjithçkaje materiale, por me përkushtimin moral dhe dinjitetin që i jep jetë shtetit të vërtetë. Ai është, siç shprehet shpesh Leskaj, politikani që vuri mbi egoizmin Shqipërinë, mbi keqkuptimet, tolerancën, dhe mbi intrigat, dashurinë për atdheun.

Kujtojmë se Leskaj ka qenë iniciatori i vendosjes së bustit të Ismail Qemalit në Prishtinë, si dhe ka themeluar Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora”, i përbërë nga dhjetëra intelektualë e studiues.

Kështu, edhe këtë vit, aktivitetet e 28 Nëntorit, të organizuara në Muzeun “Kosova”, nuk ishin thjesht një festim, por një përqafim i plotë i historisë sonë kombëtare. Ato dëshmuan se Vlora mbetet djepi i pavarësisë dhe se përkushtimi personal ndaj vlerave kombëtare mund të ruajë gjallë identitetin, kujtesën dhe krenarinë e një populli.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Mund të jetë një imazh i teksti

 

About Redaksia

Check Also

“Bomba” amerikane kundër NarcoRamës!

Nga Basir ÇOLLAKU KM Edi Rama duket se ka siguresë të djegur të qetësisë dhe …