Lëvizja në aksin rrugor Kakavijë–Janinë do të bllokohet sot nga ora 12:00 deri në 18:00 (me orën greke) për shkak të protestave të fermerëve grekë, të cilat po zhvillohen në të gjithë vendin. Autoritetet kufitare u kërkojnë qytetarëve të planifikojnë udhëtimet në orare alternative për të shmangur vonesat që mund të shkaktohen nga bllokimet, ndërsa vetëm automjetet me emergjenca shëndetësore do të lejohen të kalojnë. Policia Kufitare Kakavijë thekson se këto masa janë të nevojshme për garantimin e qarkullimit të mjeteve me prioritet dhe sigurisë së udhëtarëve.
Protestat e fermerëve grekë, që pritet të zgjasin deri më 5 dhjetor, kanë paralizuar segmente të rëndësishme rrugore, porte dhe pika doganore në të gjithë Greqinë. Fermerët kundërshtojnë pagesat e vonuara, mungesën e dëmshpërblimeve, kostot e larta të prodhimit dhe çmimet e ulëta të produkteve bujqësore. Bllokada të shumta janë regjistruar edhe sot, me autostradën Athinë–Selanik të mbyllur në Nikaia dhe autostradën E65 të bllokuar nga traktorët e fermerëve të Karditsës, ndërsa ata mbeten të vendosur të vijojnë protestat derisa të marrin përgjigje nga autoritetet.
Gjatë ditës së parë të protestave ka pasur tensione dhe përplasje me policinë, veçanërisht në Nikaia dhe Platykampo, ku fermerët tentuan të largonin forcat e rendit për të bllokuar rrugët, duke shkaktuar reagimin e policisë me gaz lotsjellës. Tre bujq u arrestuan dhe katër persona u plagosën, mes tyre dy fermerë dhe dy policë. Fermerët e Nikaias kanë bllokuar hyrjen e komisariatit duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve dhe pritet që sot të paraqiten në Gjykatën e Larisës, ndërsa në mbrëmje do të zhvillojnë një mbledhje për të vendosur hapat e ardhshëm të protestës.
Gazeta RD