Nga Ndriçim KULLA
Pa asnjë shkak të arsyeshëm, Edi Rama u bëri një provokim të rëndë marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, kur tha në intervistën e dhënë në gazetën austriake “Die Presse” se “ata, pra amerikanët, kanë filozofinë e zgjidhjes së problemeve me bomba ngaqë nuk kanë fuqi dhe durim”. Por thelbi i deklaratës më heretike, në kuptimin e vërtetë të fjalës, qëndron te akuza që i bën Amerikës, se ajo kurrë nuk di të bëjë shtet. Kush ka nevojë më shumë që të kapë fillin e kësaj çakërdisjeje politike duhet të kuptojë edhe më thellë qenien psikike të kryeministrit shqiptar. Dhe pikturat e tij, të cilat ai i konsideron si krijesa mijëvjeçare, vlejnë shumë për të kuptuar botën e tij të devijuar psikologjike. Nuk e kuptoj kush e ftoi dhe pse e bëri këtë provokim të çuar “lideri global”?! Por nuk kam si të supozoj arsye të tjera veç hallëve të mëdha që e kanë zënë.
Ai duket qartë se iu fut politikës për të mbushur sadopak gropat e mëdha që i krijoi dështimi fatal për t’u bërë artist gjenial, ëndërr histerike që nuk e preku dhe nuk e përjetoi kurrë as për një çast, por koha po provon në mënyrë të padiskutueshme edhe gjenio-politikën e tij. Se cilat janë ato halle që e kanë zënë Edi Ramën që shkumëzon helm dhe vrer për miqësinë tradicionale të gatuar në shekuj mes shtetit dhe popullit shqiptar dhe atij amerikan, për ta shndërruar në një lojë me interesa të pista për veten dhe pushtetin e tij të mëtejshëm, tashmë po e kupton edhe publiku i gjerë.
Korruptuesi emblematik, i cili sot drejton Shqipërinë, e ka bërë kudo të njohur si fakt se marrëdhëniet me politikën dhe të gjithë njerëzit e pushtetshëm i trajton si një flluskë. Dhe flluska politike e liderit global, që ndryshon sipas drejtimit të interesave të pushtetit të tij, tashmë ka ndryshuar drejtim, por duket edhe më i çakorduar se kurrë. Goja e tij ka vënë në shënjestër të sulmeve, si kryeministër i Shqipërisë, partnerin tonë më të madh strategjik, Amerikën, e cila njihet më së shumti në tërë botën si fuqia më e madhe demokratike, politike, diplomatike dhe ushtarake që ka afro 100 vjet që po ndihmon botën dhe mbarë njerëzimin për të ruajtur paqen dhe ekuilibrat e nevojshëm për prosperitet dhe përparim.
Lodrat e të uriturit për pushtet, i ulur në divanin e interesave të zotërisë që e shtrëngon si rob dhe e godet me hostenin e pronarit ideologjik dhe politik sa herë që ia lyp nevoja, po e bëjnë para publikut sa komik dhe aq tragjik. Tragjikomedia e liderit global duket kur bën herë rolin e luanit, herë të kllounit, herë të miut dhe herë të qenit të rrahur dhe të frikësuar, që tashmë i ka hipur frika edhe nga hija e vet.
Pikësëpari duhet sqaruar se, si korruptuesi i McGonigalit, ashtu edhe “nusja e Bilalit”, janë dy nga dosjet e nxehta që lidhen drejtpërdrejt me emrin e kryeministrit shqiptar, të cilat radhiten mes dhjetëra dosjeve të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, që e bëjnë subkoshiencën e tij të shpërthejë në drejtim të paditur, duke lëshuar breshëri plumbash mbi objektivin e arsyes së mundshme, nga mund t’i vijë edhe ndëshkimi i merituar politik dhe juridik.
Sulmi që i bëri Edi Rama Amerikës, pa asnjë shkak të vërtetë, duke mos qenë askush, pa fuqi reale, pa mundësi diplomatike, kulturore, ekonomike dhe ushtarake, është një përpëlitje e hapur.
Mendje të ndritura të kombit tonë, që patën rastin ta njohin mirë Amerikën, si Noli dhe Konica, krijuan një besim të pakufishëm te ky vend i madh, se do të ishte miku i përjetshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faik Konica, në një fjalim të mbajtur në Jamestown në vitin 1923, dhe të botuar në gazetën “Shqiptari i Amerikës”, në kohën kur SHBA ishte tërhequr nga problemet e Evropës, bëri një parashikim që u vërtetua shtatë dekada më vonë me çlirimin e Kosovës:
“Dhe sikur të vijë prapë një kohë që Amerika të ketë të thotë fjalën e saj për rregullimin e punëve evropiane, dhe mund po të dojë dhe ndonjë ditë mbase do të dojë, besoj që për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Evropën e Lindjes dhe në tërë botën, nuk mund të gjendet gjë më e mirë se duke bindur kombet e Ballkanit të bëhen të moderuar, të heqin dorë nga gjithë zënkat pa rëndësi dhe të bashkojnë forcat e tyre që të zhvillohen me paqe dhe me rregull” – thoshte Konica.
Nga vinte ky besim i madh te Amerika i Nolit dhe Konicës, në një kohë që në botë për Amerikën kishte nisur të krijohej një imazh antiwilsonian, si mbretëria e dollarit, ku mbi të gjitha sundonte parimi i fitimit dhe këtë frymë Amerika do ta përhapte dhe në botë? Sikur etja për fitime materiale nuk kishte ekzistuar në botë para se Amerika të niste të merrej me punët e botës që nga Lufta e Parë Botërore! Konica, kur i njohu amerikanët nga afër, pasi jetoi për një kohë të gjatë atje, arriti të kuptonte veçanësinë e shpirtit amerikan dhe të bënte këtë profeci të pagabueshme. Konica kishte kuptuar për natyrën e amerikanëve të njëjtën gjë që kishte kuptuar Fan Noli, i cili ka thënë në fjalimin e mbajtur në parlamentin shqiptar në shkurt 1924, me rastin e vdekjes së Presidentit Wilson:
“Ata që kujtojnë se Amerika është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të fituar dollarë nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President arrin për të provuar tezën tonë”.
Nuk kam ndeshur në kulturën dhe dijet e mia agresivitet më të poshtër se retorika fyese pa fre për vendin e Statujës së Lirisë, sa kjo që Edi Rama bëri këto ditë në gazetën austriake…!
Tigri i dikurshëm prej letre i maoistëve, sot për Edi Ramën qenka bërë më hitlerian se Hitleri dhe, ndërsa po sulmon me bomba botën, Evropën po e paskan mbushur me modele shtetesh zulluland! Imperializmi amerikan i Enver Hoxhës sot po vret e pret dhe shfrytëzon gjithë botën.
Kur ishte në rolin e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit për punët e pista, për të varrosur opozitën shqiptare, Amerika e Blinkenit–Sorosit ishte ylli i tij polar, ndërsa sot, që Amerika i ka thënë “ndal” këtij përbindëshi të inkriminuar që drejton kartelet e drogës, është bërë një vrasëse dhe shkatërruese.
Me kulturë, me histori, me filozofi, me arsye, kuptohen më mirë dhe më drejt se Amerika është edhe sot ajo që thoshte dikur Faiku dhe Noli. Është kështjella e pamposhtur e mbrojtjes së lirisë, demokracisë dhe pararojë e shkencës dhe ndryshimit.
Po cilat janë arsyet që kjo rrëmujë diplomatike që zhvillohet në kokën e regjimtarit aktual shqiptar, i cili është ndezur i tëri përbrenda dhe i paska shkuar ndërmend që të matet si miza me buallin?!
Pse korruptuesi i McGonigalit dhe Nusja e Bilalit po sulmon me histeri Amerikën dhe Donald Trump?!
Ka dyzet e një arsye pse i përkëdheluri i ish-administratës Biden–Blinken, që ishte kthyer edhe në një zëdhënës të non-gratave dhe persekutimeve të tjera të opozitës, është bërë kaq nervoz dhe i çakorduar. Por në thelb të këtyre arsyeve pa fund qëndron fati tragjik i një personazhi makbethian. Ndoshta po bëhet më realist nga dita në ditë për krim–ndëshkimet e tij të mëdha kriminale dhe korruptive dhe po mendon si t’i përballojë më lehtë ato duke sulmuar.
Gazeta RD