Alolli: Rruga Qukës-Qafë Plloçë rrezik për qytetarët! Qeveria favorizon klientelën mbi jetën e njerëzve

Deputetja e PD, Ledina Alolli, në një deklaratë për mediat, u shpreh se, aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë, një investim me vlerë 260 milionë euro, i mungon ndriçimi, sinjalistika është e dëmtuar dhe barrierat mbrojtëse të pamjaftueshme, duke e bërë qarkullimin një sfidë të rrezikshme për qytetarët.

Sipas saj, masivi i shkëmbinjve të rënë pas reshjeve të para të shiut dhe stabiliteti i dobët i segmenteve të rrugës tregojnë se investimi nuk garanton sigurinë elementare.

Alolli akuzoi qeverinë se e inauguroi aksin pa kryer kolaudimin teknik, duke vënë fitimet e klientelës mbi jetën e qytetarëve, dhe kërkoi nisjen e menjëhershme të hetimeve, rivlerësim teknik dhe ndërhyrje në të gjitha defektet e konstatuara.

Deklarata

Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë, një investim me vlerë 260 milionë euro wshtw kthyer nw një rrezik për qytetarët. Abuzim i rëndë me një vepër që pretendohet se zgjidh problemet infrastrukturore në juglindje të vendit. Nuk ka ndriçim, sinjalistika është e cunguar, barrierat mbrojtëse janë të pamjaftueshme dhe segmente të tëra të rrugës humbasin stabilitetin, gjë që e bën qarkullimin një sfidë të rrezikshme. Masivi i shkëmbinjve të rënë në rrugë ditët e fundit, me shiun e parë dhe pa nisur mirë dimri, është prova më e qartë se ky investim nuk garanton as sigurinë më elementare në rrugë.

Nuk është rastësi që pikërisht 80% e banorëve të Korçës dhe të gjithë qarkut kanë braktisur këtë rrugë, sepse jo vetëm që nuk shkurton distancat me Tiranën, por ajo vë në rrezik edhe jetët e tyre. Është e pafalshme se si një investim me 260 milionë euro mund të dorëzohet në këtë gjendje, duke u shndërruar në një kërcënim të përditshëm për jetën e qytetarëve. Ky është dështim, është papërgjegjshmëri, por edhe abuzim i pastër me paratë e shqiptarëve. Ajo që e bën këtë aferë edhe më të rëndë është fakti se qeveria e dinte se rruga ishte e pasigurt, sepse kolaudimi nuk është kryer asnjëherë. Pra, qeveria inauguroi me vetëdije një aks rrugor të pasigurt, duke vënë fitimet e klientelës mbi jetën e qytetarëve.

Në çdo vend normal, fillimisht bëhet kolaudimi dhe pastaj inaugurimi. Në Shqipëri ndodh e kundërta, sepse për këtë qeveri është më e rëndësishme propaganda sesa siguria. Për këto arsye, kërkoj nisjen e menjëhershme të hetimeve nga organet kompetente për çdo përgjegjës politik dhe teknik që ka lejuar pikërisht këtë katastrofë infrastrukturore. Jeta e shqiptarëve duhet të jetë e sigurt, dhe në qoftë se specialistët mendojnë se kjo rrugë nuk është brenda standarteve normale, të mendohet për mbylljen e përkohshme të saj.

I bëj thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar, por edhe specialistëve, të marrin masa të menjëhershme për rrugën Qukës-Qafë Plloçë, për të siguruar jetën e qytetarëve. Të kryhet menjëherë një rivlerësim teknik i plotë dhe të ndërhyhet në të gjitha defektet që janë konstatuar nëpërmjet rishikimit të rrugës, skarpateve, urave dhe mureve mbajtëse.

Nuk duhet të presim kronikën e radhës të një tragjedie të paralajmëruar. Asnjë qytetar nuk duhet të rrezikojë jetën e vet për shkak të korrupsionit, por edhe të babëzisë së Edi Ramës dhe të Belinda Ballukut. Siguria e qytetarëve sot nuk është luks, por detyrim shtetëror, dhe përgjegjësit duhet të japin llogari. Për ata që flasin për shpifje të opozitës, mjafton të lexojnë raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili dokumenton shkelje të rënda në këtë projekt. Jo vetëm që këto shkelje nuk u morën parasysh, por Rama dhe Balluku kanë favorizuar të njëjtat kompani të kapura më herët në shkelje flagrante.

E përsëris edhe një herë: kjo rrugë duhet të jetë subjekt i menjëhershëm i organeve të drejtësisë. Çdo problematikë e saj tregon një fije të fortë korrupsioni. Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Tenderi i sajuar për baxhanakun/ I dha 75 milionë euro për “Përmirësimin e Inteligjencës Artificiale”

Mariglen Kume, MCN TV: Çfarë informacionesh ka PD që lidhin Geron Meçen, Ermal Beqirin, Daniel …