Jorida TABAKU
Prej muajsh kam kërkuar nga Ministria e Financave listën e tatimpaguesve që po përfitojnë nga “Paqja Fiskale” dhe nga faljet selektive të borxheve. Kërkesë legjitime, institucionale dhe e domosdoshme për transparencë publike.
Ministri i Financave e ka premtuar vetë në seancë plenare se kjo listë do t’i vihej në dispozicion Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Megjithatë, sot ministria deklaroi zyrtarisht se nuk mund ta japë.
Kjo përbën një shkelje të qartë ligjore. Neni 25/1 i Ligjit për Procedurat Tatimore përcakton qartë se të dhënat identifikuese të tatimpaguesit dhe detyrimet e papaguara, për të cilat kanë nisur procedurat e mbledhjes me forcë, NUK konsiderohen konfidenciale. Pra ligji UA LEJON publikimin.
Dikur, deri para disa vitesh, vetë administrata tatimore i publikonte rregullisht listat e debitorëve. Sot i fsheh.
Refuzimi për t’i vënë në dispozicion këto të dhëna nuk është “ruajtje konfidencialiteti”, por mungesë transparence. Mbrojtje e klientelizmit. Favorizim i të fortëve dhe penalizim i qytetarëve të zakonshëm që paguajnë çdo detyrim.
Paqja Fiskale nuk mund të jetë pazari fiskal i qeverisë.
Parlamenti ka të drejtë të dijë kush përfiton falje dhe kush trajtohet me standart të dyfishtë. Transparenca është detyrim ligjor dhe garanci që shteti nuk përdoret për të shpërblyer klientë e oligarkë.
Gazeta RD