Berisha: U qëndrojmë luajalë rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet!

Kryetari i PD, Sali Berisha, theksoi se Partia Demokratike do t’u qëndrojë luajalë rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë për procesin zgjedhor, duke nënvizuar se raportet e tyre “thanë të vërtetën shqiptarëve dhe nuk u ndikuan nga presionet e qeverisë”.
Në takimin me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, që po zhvillohet në sallën ‘Consortium’, Hotel Tirana International, lideri i opzoitës u shpreh se qeveria ndërmori një seri masash, disa prej të cilave sipas tij ishin edhe më të ashpra se praktikat e regjimeve autoritare, duke arrestuar liderë të opozitës dhe duke përdorur resurset e shtetit për të frikësuar dhe ndikuar tek votuesit.
“Dhe Edi Rama përfitues kryesor i karteleve famëzeza shqiptare të drogës, për të fituar mandatin e katërt, ndërmori të njëjtat masa, madje në disa aspekte edhe më të egra se Maduro i Venezuelës.
Arrestoi në vit elektoral liderët e opozitës, të partive kryesore opozitare dhe i vuri në ndjekje penale.
Me paratë e veta apo të drogës, organizoi 4553 aktivitete në 4 muajt e ndaluar me ligj për aktivitetet, që të mos ndikohet tek votuesit.
Dhuroi çdo pensionisti 100 euro.
Fali gjoba dhe kamata për 10 vite.
A e morët vesh miq sa ishin ato?
Gjatë gjithë kësaj kohe them se janë 200 milionë, por tani që janë bërë llogaritë, kanë rezultuar 8 herë më shumë, kanë rezultuar 1 miliard e 700 milionë euro, nga të cilat vetëm ato të biznesit kanë përfituar 210 mijë familje.
Dhe këtë e shpalli dy ditë para zgjedhjeve, ndërsa në ato 4500 aktivitete, ditën e zgjedhjeve dha 7 milionë euro për Giro D’Italia për të mriësuar fytyrën e urryer të narkodiktatorit.
Për t’i bërë makijazh.
Shndërroi administratën në polici politike të votës.
Shpërndau licenca droge, legalizime, leje, që të gjitha.
Pse po ndalem në këtë moment?
Po ndalem në këtë moment sepse unë e kuptoj se shumë nga ju këtu, por edhe ata që na shohin, duke ditur të gjitha këto, mund të shtrojnë pyetjen, po këta pse mblidhen për reformën zgjedhore.
Sepse njerëzit e kanë të qartë se zgjedhjet nuk i fitoi nga ligji Edi Rama.
Zgjedhjet Edi Rama i fitoi nga droga, nga kartelet e drogës dhe krimit, i përdori duke përdorur të gjitha resurset e shtetit njëlloj si në partinë shtet.
I fitoi duke frikësuar dhe trembur zgjedhësit.
Ju keni dëgjuar se ky raporti i OSBE/ODIHR, i cili në fakt i shpall zgjedhjet si zgjedhje të partisë shtet, dhe ka një vërtetësi të padiskutueshme, për të ndryshuar këtë raport u bënë përpjekjet më të jashtëzakonshme.
Edi Rama thirri në zyrë dhe kërcënoi si bandit diplomatin që kryesonte ekipin e vëzhguesve.
Igli Hasani thirri në zyrë kreun tjetër të vëzhguesit bashkë me vëzhguesit dhe u tha, ku i keni këto të dhëna, ku i argumentoni këto, ku i bazoni këto që keni shkruar.
Po ju njoh me këto se gjer në ç’shkallë këta narkoqeveritarë janë të gatshëm të kërcënojnë edhe faktorin ndërkombëtar.
Natyrisht kërcënimet e tyre, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme që bënë, u shumëzuan me zero.
Ai zotëri nderoi institucionin që përfaqësonte, nderoi veten e tij, një zyrtar i ndërgjegjshëm dhe i dobishëm me të gjitha funksionet që ka kryer, raporti doli ky që është, të cilin përsëri propaganda përpiqet ta sfumojë. Përpiqet ta injorojë.
Por ai është i pamohueshëm.
Duke thënë këto, atëherë pse jemi mbledhur ne?
Ne nuk jemi mbledhur se rezultatin e zgjedhjeve e diktoi kodin elektoral.
Rezultatin e diktoi droga, krimi, e diktoi partia shtet.
Por përsëri, këto institucione, të cilat janë institucionet e besimit të mirë në vëzhgimin e zgjedhjeve, në të gjitha vëzhgimet nga viti 2019 gjer sot, kanë dhënë një seri rekomandimesh për përmirësimin e kuadrit ligjor të zgjedhjeve.
Atëherë ne jemi këtu pikërisht për ato rekomandime, për t’u qëndruar luajalë, sepse ata qëndruan të vërtetë, nuk u ndikuan, u thanë shqiptarëve të vërtetën.
Ne i konsiderojmë rekomandimet e tyre të dobishme për procesin zgjedhor”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Ramën nuk e pranuan në firmosjen e Bordit të Paqes, prandaj erdhi në parlament për të bërë avokatin e Lubisë

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij në protestën madhështore në …