Një foto rrëqethëse, një realitet që nuk duhet të ekzistojë në vitin 2025. Kjo nënë e moshuar, e ulur në një stol, me qenin besnik pranë saj, ka dy netë që fle në rrugë, në të ftohtë, në zonën e Astirit, pranë rrethit të “Well”-it.
Sipas një qytetareje që i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, e moshuara është përzënë nga shtëpia me qira pasi nuk kishte mundësi të paguante qiranë, dritat dhe ujin. Prej dy muajsh ajo jetonte në terr, ndërsa ditët e fundit ka mbetur krejtësisht në rrugë.
“Kjo nënë ka 2 netë që fle përjashta. Sot ka ngrirë jashtë nga i ftohti. Kush mundet ta ndihmojë, do bënte sevap,” shkruan qytetarja në mesazhin e saj, duke dhënë edhe vendndodhjen e zonjës.
Historia bëhet edhe më e dhimbshme kur mësohet se e moshuara është e vetme, ndërsa ka dy vajza që jetojnë jashtë Shqipërisë, njëra në SHBA dhe tjetra në Turqi, por nuk janë kujdesur për të, për arsye të cilat i dinë vetëm ato. Qytetarja thotë se e ka parë shpesh në lagje bashkë me qenin, ndërsa sot e gjeti duke i treguar se kishte dy netë që flinte jashtë pasi ishte nxjerrë nga banesa.
Në përpjekje për ta ndihmuar, ajo ka telefonuar policinë, por përgjigjja ka qenë se “nuk kanë çfarë të bëjnë”.
Ndërsa temperaturat po ulen çdo natë, kjo nënë është e detyruar të kalojë orët e ftohta në rrugë, vetëm me qenin e saj, që duket i vetmi shoqërues dhe mbrojtës që i ka mbetur.
Nëse dikush mund ta ndihmojë me një strehë, një veshje të ngrohtë apo një dorë solidariteti, çdo gjë bën diferencë.
Të mos mbyllim sytë përpara rasteve të tilla. Jo çdo betejë zgjidhet me fjalë, disa kërkojnë veprim konkret.
Gazeta RD