Policia ka goditur gjatë natës grupin kriminal Rraja dhe ka vënë në pranga disa persona. Mes të arrestuarve është edhe djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Sipas hetimeve paraprake, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal.
Emrat e personave të arrestuar:
1-Marvin Genci Bushati
2-Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani
3-Sokol Myslym Qaja
4-Gazmir Xhemali Rraja
5-Perparim Kadri Rraja
6-Rexhep Xhelal Rraja.
Rexhep Rraja, djalit të ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, është një nga 6 personat e arrestuar së fundmi në një operacion të goditjes së një grupi kriminal për ‘trafik droge’.
Rexhep Rraja nuk është një emër i panjohur për drejtësinë.
Ai u shfaq për herë të parë në skenën publike në vitin 2018, pasi ish-e dashura e tij, Xhisiela Maloku, depozitoi një kallëzim për dhunë dhe përndjekje. Çështja do të shndërrohej menjëherë në një histori me ngarkesë të fortë politike, për shkak të lidhjes familjare me deputetin e PS-së.
Maloku deklaronte se ishte dhunuar fizikisht, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore pasqyronte dëmtime në trupin e saj.
Në shtator 2018, Rraja u arrestua për akuzën e perndjekjes dhe dhunës.
Më vonë, në dhjetor 2018, gjykata vendosi që Rraja të mos vuante dënim me burg, por të kryente 1 vit shërbim prove. Vendimi shkaktoi debat, pasi opozita e lidhte këtë me ndikim politik, ndërsa pala mbrojtëse këmbëngulte se akuzat ndaj tij nuk ishin provuar.
Edhe pas mbylljes së çështjes “Xhisiela”, emri i Rrajës ose i familjes së tij u përmend sërish në disa incidente të raportuara nga media.
Në disa prej tyre, policia njoftonte për kontrolle apo procedime në lidhje me konflikte fizike, përplasje për çështje pronësie ose incidente të tjera të natyrës penale, ku shpesh përmendej edhe fisi Rraja më gjerësisht.
Këto episode krijuan përshtypjen e një problematike më të thellë që nuk mund të lexohet si një rast i izoluar, por si pjesë e një historie të përsëritur të konflikteve dhe përplasjeve me ligjin.
Gazeta RD