Nga Ylli ASLLANI
Forumi i demokracisë vendore të Partisë Demokratike vëren me shqetësim se nisma për krijimin e ‘Akademisë pushtetit vendor’ po shkon përtej çdo rregulli dhe përtej çdo standardi demokratik. Ajo po paraqitet si një instrument “modernizimi”, por në thelb rrezikon të kthehet në një mekanizëm të centralizimit politik, të kontrollit ideologjik dhe të devijimit të burimeve publike në funksion të një grupi të vogël aktorësh politikë dhe jo–politikë në dukje.
Së pari, funksionet e Akademisë pushtetit vendorë prekin drejtpërdrejt autonominë e institucioneve publike, veçanërisht pushtetin vendor. Këto kompetenca bien ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve dhe me parimin e decentralizimit që Shqipëria ka detyrim ta përmbushë në kuadër të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore. Askund në Europë, një strukturë e centralizuar politike nuk merr përsipër të trajnojë, kontrollojë ose certifikojë administratën vendore apo drejtuesit lokalë.
Së dyti, Akademia tenton të zëvendësojë kompetenca që sot i kanë institucionet e pavarura, si ASPA, universitetet, shkollat e administratës, apo programet e specializuara në akademitë e mbrojtjes dhe sigurisë. Ky është një precedent që nuk ekziston në vendet demokratike. Nuk mund dhe nuk duhet të ndërhyet në profesionalizmin institucional.
Së treti:Shqipëria nuk ka nevojë për struktura të reja që devijojnë fonde publike për të krijuar mundësi punësimi për projekte të mbyllura apo aktorë të mbetur pa financime.
Është e kuptueshme që mbyllja e disa programeve ndërkombëtare mund të lërë pas një grup njerëzish me ekspertizë të caktuar. Por institucionet publike nuk mund të projektohen për të absorbuar boshllëqe punësimi; ato duhet të projektohen për interes publik, jo për interesa projektuale.
Së katërti, Akademia Pushtetit Vendorë i shmanget çdo logjike të meritokracisë. Nuk ka kritere transparente, nuk ka objektiva profesionalë dhe nuk ka mekanizma llogaridhënieje. Për më tepër, krijon një kanal paralel trajnimi që përplas administratën me standardet e BE-së.
Së pesti, nisma është konceptuar në mënyrë që të forcojë kontrollin vertikal të të zgjedhurve dhe jo zgjedhurve, duke krijuar një strukturë që mund të prodhojë ndikim politik të nënkuptuar mbi zyrtarët publikë bashkiakë. Në një vend që aspiron anëtarësimin në BE, nuk mund të ndërtohet një Akademi me funksione indoktrinimi, me program të paqartë dhe me synime të dyfishta, apo përsëritje të praktikava apo kurrikulave.
Së gjashti.Problemet kryesore që përballin sot bashkitë nuk lidhen me mungesën e trajnimeve, por me sfida shumë më strukturore: politizimin e funksioneve vendore, centralizimin e vendimmarrjes, ndërhyrjet e vazhdueshme dhe kontrollin nga qeveria qendrore, si dhe mungesën kronike të financimit dhe burimeve njerëzore.
Partia Demokratike rithekson se vendi ka nevojë për një administratë profesionale, të pavarur, të trajnuar sipas standardeve evropiane jo për një instrument politik të centralizuar që synon të zëvendësojë institucionet ekzistuese dhe të krijojë hapësira punësimi nga fondet publike për projekte të dështuara apo të përfunduara.
Në këtë kuptim, nisma për Akademinë nuk është një reformë.Është një devijim.
Një tentativë për të zhvendosur balancat, për të kontrolluar pushtetin vendor dhe për të krijuar një platformë që kombinohet me interesa politike dhe projektuale, duke cenuar integritetin e administratës publike dhe proceset e depolitizimit.
Partia Demokratike do të paraqesë alternativën e saj reale për rritjen e kapaciteteve të administratës, të bazuar në standarde evropiane, transparencë, decentralizim dhe profesionalizim të vërtetë jo në eksperimente me ngarkesë politike dhe interesa të fshehura.
Gazeta RD