Deputeti i PD, Flamur Noka, gjatë fjalës së tij në Kuvend, u përfshi në një debat të ashpër me përfaqësues të mazhorancës, duke sqaruar se përdorimi i termit “injorant” nuk ishte fyerje, por një përcaktim për mungesë njohurish në fushën e ligjit.
Ai akuzoi mazhorancën se ka toleruar ofendime të drejtpërdrejta ndaj deputetëve të opozitës dhe riktheu në vëmendje çështjen e pazbardhur të vrasjes së avokatit Ravik Gurra, duke thënë se ajo “vazhdon t’i trazojë ata që e përmendin në Kuvend”. Noka tha se detyra e opozitës është të mbrojë interesin publik dhe të kërkojë drejtësi për rastet e lëna në heshtje.
“Unë kam përmendur një term, injorant. Termi injorant në fjalorin shqip zbërthehet, një njeri i cili nuk ka dijeni për një çështje të caktuar. Është injorant në atë fushë. Zotëria është injorant në fushën e ligjit dhe vazhdoj t’ia them që është injorant në fushën e ligjit. Kjo nuk është fyerje. Por ju zotëri, atë që e thashë unë aty pa mikrofon e dëgjuat, nuk e dëgjuat juve. E dëgjoj SMS-ja që ju erdhi dhe nuk dëgjuat që ai ju drejtua, zagar, deputetëve të opozitës.
Dhe kjo ishte live në sy të gjithë shqiptarëve. Ne, unë e kuptoj shumë mirë. Unë e kuptoj sepse që ditën që në këtë kuvend është përmendur gjaku i Ravik Gurrës, ai nuk ka qetësi. Dhe kjo nuk është faji jonë. Po pse? Sepse është përmendur në sallën e gjyqit, në sallën e gjyqit është përmendur edhe në përgjime, që Ravik Gurra dhe gjaku i tij s’do ta lënë kurrë të qetë.
Unë jam deputet i opozitës. Detyra ime është të mbroj interesin publik, pavarësisht se disa gjyqtarë apo prokurorë të cilët i promovuan se mbyllën çështje, çështjen e Ravi Gurrës, por ne kemi detyrë që shqiptarëve dhe interesit publik t’ju rrimë këtu për t’i mbrojtur, sepse gjaku i një njeriu, avokatit të pafajshëm të vrarë lë pa gjumë dikënd këtu te ju”, tha Noka.
Gazeta RD