Seanca parlamentare është përfshirë nga debate të ashpra gjatë diskutimeve për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, ku opozita ka lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës për thyerje të konsensusit dhe tentativë për kapjen e institucionit.
Nga foltorja e Kuvendit, Flamur Noka deklaroi se mazhoranca po shkel një traditë të vjetër parlamentare, sipas së cilës posti i Avokatit të Popullit zgjidhet me konsensus dhe i takon opozitës të propozojë kandidatin. Ai hodhi poshtë pretendimet se mazhoranca aktuale ka merita për ligjin, duke kujtuar rastin e zgjedhjes së Ermir Dobjanit.
“Iku kjo, por çështja juaj. Tani, zoti kryetar, është traditë e vjetër parlamentare që avokati i popullit të zgjidhet me konsensus këtu dhe gjithmonë opozitës i është dhënë e drejta e propozimit të kandidatit. Dëgjuam këtu që jo e kemi shpikur ne ligjin, e kemi bërë ligjin, prandaj them unë injorant, sepse Ermir Dobjani kur është votuar në këtë parlament kandidat për avokat populli, nuk keni qenë ju fare në pushtet që të kishit iniciuar ligj. Ka qenë Sali Berisha dhe ka qenë kandidati i Partisë Socialiste, Ermir Dobjani.
Atëherë pra, pse të nxjerr gënjeshtar? Nuk duhet të djek se gënjeshtari është gënjeshtar. Mund të thuash edhe ti jam injorant si ai tjetri, ta falim, nuk do të thotë, injoranca falet. Injoranca falet. Ama gënjeshtra dhe mashtrimi nuk falet. Prit të lutem. Niko, ta mbaroj. Tani, cili është thelbi, zotërinj? Doni, doni t’i jepni opozitës avokatin e popullit apo e doni ta emëroni vetë? Po qe se ju doni t’ia jepni opozitës, procesi futet në hullinë institucional. Me datën 2 dhjetor, grupi parlamentar ju ka dërguar një njoftim.
Me datën 2 dhjetor, pasi komisioni i ligjeve vendosi që nuk mundet një deputet të firmosë më shumë se një emër, grupi parlamentar ka dërguar një kërkesë për tërheqjen e të gjitha firmave për çdo pretendent për kandidat. A ju doni lepurin e Surrelit? Sepse duhet t’i bëjë avokatin Surrelit dhe partisë dhe jo avokatin e popullit. Është çështje e juaja, zgjidhni ju, por jo ne. Avokati do jetë i partisë dhe i Surrelit, por nuk është avokati i popullit. Ndaj vendosni.
Edi Rama ju ka urdhëruar të rrëmbeni çdo gjë, çdo gjë keni rrëmbyer. Ju nuk njihni limit. Rrëmbeni para, rrëmbeni taksa, rrëmbeni njerëz dhe zhdukni. Ju nuk njihni gjë në rrëmbim. Ju çdo gjë rrëmbeni. Rrëmbeni dhe këtë, por nuk ka lidhje me opozitën. Opozita nuk e njeh lepurin e Surrelit, Endri Shabani, si kandidat të mbështetur nga ajo. Kaq”, u shpreh Noka.
Gazeta RD