Në seancën e sotme parlamentare, deputeti demokrat Tritan Shehu kritikoi mazhorancën për përjashtimin e opozitës nga proceset e përzgjedhjes së institucioneve të pavarura, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë në historinë parlamentare të vendit.
Ai tha se mazhoranca ka marrë njëanshmërisht të gjitha institucionet që kërkojnë balancë pushtetesh, duke përfshirë Këshillin dhe Komisionin e Integrimit, ndërsa paralajmëroi se zgjedhja e Avokatit të Popullit pa konsensus “nuk do të ketë asnjë vlerë”. Shehu theksoi se Shqipëria ka nevojë për ekuilibra institucionalë dhe respektim të marrëveshjeve politike, duke akuzuar qeverinë se po vepron me arrogancë dhe arbitraritet në dëm të demokracisë.
“Dhe ky është qëllimi. Qëllimi që opozita të marrë pjesë në zgjedhjen e disa institucioneve të cilët nuk i përkasin ekzekutivit dhe mund të bëjnë dhe një rol oponencë ndaj ekzekutivit. Kjo është çështja. A do ta pranojmë këtë gjë? T’i lëmë lojërat e fjalëve, t’i lëmë skenarët absurd, të themi këtë gjë: a i qëndrojmë kësaj gjëje apo jo? A jemi dakord në këtë mënyrë apo jo? Kjo që po ndodh kësaj radhe, nuk ka ndodhur ndonjëherë në parlamentarizmin shqiptar. Që kur është krijuar ky parlament.
Asnjëherë s’ka ndodhur ky element. Gjithmonë i është qëndruar besnik kompromiseve, marrëveshjeve dhe i është lënë hapësira opozitës atje ku është vendosur me ligje të tillë. Siç ishit dhe juve. Kjo është. Në qoftë se do e deformojmë, mirë, s’ka asgjë. Ju i morët të gjitha. Ju morët Këshillin e Integrimit. Ju morët Komisionin e Integrimit. Ju i morët të gjitha elementët politikë që për të krijuar ekuilibra e pushteteve dhe Shqipëria ka nevojë për ekuilibra pushtetesh.
Ka nevojë komuniteti ndërkombëtar për të parë në Shqipëri ekuilibra pushtetesh, pikërisht për të mirën e Shqipërisë dhe për integrimin e Shqipërisë. Ju i morët, i rrëmbyet, shkelët marrëveshjet në mënyrë të njëanshme. Shkelët marrëveshjen për Këshillin e Integrimit, kur ajo, kur ligji për të ishte bërë me konsensus dhe me pjesëmarrjen e komunitetit ndërkombëtar. Ju e bëtë vetë. Pra, ju i bëtë këto gjëra.
Doni të merrni dhe avokatin e popullit? Merreni, o zotërinj. Nuk ka asgjë. Ta dini që s’ka asnjë vlerë. Ja po jua them unë që nuk ka asnjë vlerë. Nuk do të ketë asnjë vlerë. Se ju, të gjitha institucionet do t’i përdorni dhe i përdorni me arrogancë, me arbitraritet, për të shkelur demokracinë. Kjo është çështja. Doni dhe një tepër. Për mua rëndon më tepër kjo në arbitraritetin tuaj. Kjo rëndon akoma më tepër në shkeljen e demokracisë që po bëni ju.
Pastaj lojërat e fjalëve, elementët banal dhe komik, janë puna juaj. Doni t’i përdorni. Pra merrni të gjitha. S’ka asgjë. Asgjë. Përdorni, si të doni përdorni. I keni. Nuk na trembni ne, absolutisht jo. Nuk na impresiononi. Absolutisht jo. Po ka një moral ama. Ka një moral dhe një përgjegjësi ndaj marrëveshjeve të bëra dhe ndaj parimeve mbi të cilat vendosen dhe marrëveshjet janë bërë. Pavarësisht nga roli që luajnë”, u shpreh Shehu.
Gazeta RD