Klodian Braho do të jetë drejtuesi i ri i SPAK për tre vitet e ardhshme. Braho do ta marrë detyrën me 19 dhjetor, një ditë pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme. Braho është emëruar Prokurori në vitin 2007 dhe pjesë e SPAK që prej krijimit të tij.
Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho mban mbi supe edhe drejtimin e shumë çështjeve të “nxehta” që lidhen me politikën.
Ai ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati.
Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D, duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Po ashtu, një tjetër dosje e hetuar nga Braho është edhe ajo e njohur si “Toyota Auris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa fraksione dhe janë duke u hetuar edhe pjesë të tjera të saj.
Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu për “Gërdecin”, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre”.
Gazeta RD