Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se, ky moment shënon një kthesë historike për veprimin opozitar, duke theksuar se iluzioni i bashkëpunimit minimal me mazhorancën është rrëzuar përfundimisht nga sjellja e Edi Ramës dhe shumicës socialiste. ‘Kjo mbledhje shënon kthesën historike që duhet të marrë grupi parlamentar i PD-së në përballje me narkoregjimin’, deklaron Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati sqaroi edhe njëherë se firmat që u dhanë për Avokatin e Popullit ishin një gabim, por u tërhoqën, veprim që nuk u njoh nga Edi Rama dhe mazhoranca e tij. ‘E vërteta është një: u tërhoq çdo firmë, ditë para se kandidatura të vinte në parlament. Dhe ajo kandidaturë kurrë nuk mund të vinte në parlament. E paraqiti Edi Rama, i cili donte ta merrte me çdo kusht. Edi Rama faktoi dhe provoi se është i aftë të përmbysë gjithçka qoftë edhe për një përqindje minimale pushteti që duhej të ndante’. Berisha u shpreh se, Rama ‘emëroi një kryetar partie që ditën paraqitej si opozitës dhe natën flirtonte direkt me të’.
Sipas kreut të PD, pas këtij akti të Edi Ramës, kryesia e partisë vendosi ndërprerjen e çdo lloj bashkëpunimi me mazhorancën socialiste, si një pamundësinë absolute të çdo bashkëpunimi me qeverinë. ‘Me këtë akt, Edi Rama i dëshmoi opozitës dhe çdo shqiptari se kurrfarë bashkëpunimi, qoftë edhe minimal me të, nuk shërben dhe nuk vlen’, thekson Berisha.
Duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun, lideri i opozitës Sali Berisha tha se, kjo ishte një pikë kthese dramatike si një licencë për vjedhje publike nga Edi Rama. ‘Edi Rama u tha shqiptarëve: tani do t’ju vjedh publikisht, nuk kam nevojë të fshihem më’, theksoi Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar, bëri thirrje për protesta të vazhdueshme, duke u shpreh se në 22 dhjetor ora 18:00 do të nisin protestat pa ndalim të opozitës.
‘Asnjë zgjidhje tjetër nuk ka, përveç dorëzimit pa kushte, por ne s’kemi pse dorëzohemi. Ne duhet të fillojmë qëndresën dhe protestat tona, të marrim fatin tonë në dorë, qytetarët shqiptarë të marrin fatin e tyre në dorë. Thirrja ime për ju është secili të t’i shtrojë pyetjen vetes, çfarë mund të bëjë më shumë. Dhe çdonjëri prej neve mund të bëjë shumë më tepër. Edi Rama qëndron në pushtet sepse ne nuk jemi në rrugë’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE
Kjo mbledhje grupi është e një rëndësie shumë të veçantë, mbasi kjo mbledhje shënon, do të thosha kthesën historike që duhet të marrë grupi parlamentar i PD-së në përballje me narkoregjimin.
Zhvillimet e ditëve të fundit, faktojnë në mënyrë përfundimtare se është vetëmashtrim të mendosh se, në një të themi bashkëpunim minimal mund të realizohen qëllime që i shërbejnë shoqërisë shqiptare, që u shërbejnë shqiptarëve.
Ndonëse me një proces zgjedhor të shndërruar në farsën me të shëmtuar nga vitet 1990 e gjer sot, opozita nuk njohu zgjedhjet dhe kishte të drejtë të mirrte çdo vendim ndaj narkoregjimit, opozita, u angazhua në një proces opozitar dhe në një bashkëpunim minimal me mazhorancën e krimit apo pseudomazhorancën në tre çështje të një rëndësie të veçantë për vendin.
Zgjedhjet e Avokatit të Popullit që ka dy vite që mbahej pezull.
Reformën zgjedhore
Dhe reformën territoriale.
Çfarë ndodhi?
Edi Rama faktoi dhe provoi, zero tolerancën e tij ndaj balancës dhe kontrollit të pushteteve. Edi Rama faktoi dhe provoi se ai është i aftë të përmbysë gjithçka qoftë dhe për një përqindje minimale pushteti që duhej të ndante, siç është rasti i Avokatit të Popullit.
Jo në interes të opozitës, por në interes të funksionimit të këtij institucioni në atë frymë të besueshmërisë së atij institucioni para qytetarëve shqiptarë.
Prej dy vitesh mban peng këtë proces dhe në fund në mënyrën më të vendosur, grabiti dhe emëroi njeriun e tij.
Emëroi një kryetar partie që ditën paraqitej si opozitës, dhe natën flirtonte direkt me të.
Por e emëroi duke shkelur çdo procedurë, kushtetuese dhe ligjore, e emëroi pasi të gjitha firmat e dhëna për të, jo për tu zgjedhur, por për tu listuar në listën e kandidatëve që do shqyrtoheshin, që do shqyrtonte Komisioni i Ligjeve. Firma të cilat u hoqën një e nga një nga firmatarët, po me firmë që kishin firmosur. Siç është e drejta e çdo njeriu të propozojë dhe të tërheqë propozimin e tij.
U propozua me shkrim e firmë, u tërhoq me firmë.
Dhe Edi Rama zgjodhi pikërisht atë, duke shkelmuar praktikën e mëparshme, por të themi edhe disa detyrime që rrjedhin nga procesi i integrimit të Shqipërisë, megjithëse ai siç keni konstatuar vetë, kriteret dhe standardet europiane i përcakton vetë. Nuk pyet për ato që vijnë nga Brukseli të përcaktuara.
E kam thënë dhe e them përsëri, ato firma ishin një gabim, ishin një nxitim i cili ndodhi në një klimë kur me këtë parti u vendos një lloj bashkëpunimi apo koalicioni gjatë garës elektorale në Tiranë.
Por prap është kërkuar ndjesë publike dhe është quajtur gabim.
Tani dua tu kthej një përgjigje të gjithë altoparlantëve të paguar dhe të papaguar të Edi Ramës, që pretendojnë se fajin e ka opozita.
Që pretendojnë në mënyrën më allogjike, më të pafytyrë dhe më të turpshme, se fajin e ka opozita e cila para zgjedhjes së tij, kishte tërhequr çdo firmë.
Këta janë në garë për një urrejtje ndaj opozitës, sipas shpërblimit që marrin nga Edi Rama.
Ka disa prej tyre që janë të gabuar, nuk kanë kuptuar drejt dhe shpjegimi ynë është i detyrueshëm ndaj tyre.
Por ata të cilët mendojnë se me propagandën e Edi Ramës apo me mashtrimet e Edi Ramës apo duke paraqitur si të vërteta, të pavërtetat në mënyrë flagrante, nuk mundet kurrë t’i imponojnë Partisë Demokratike asgjë. Asgjë.
E vërteta është një, u tërhoq çdo firmë, ditë para se sa kandidatura të vinte në parlament. Dhe ajo kandidaturë kurrë nuk mund të vinte në parlament, nuk mund të paraqitej në parlament. Jo. Dy, e paraqiti Edi Rama, i cili donte ta mirrte me çdo kusht.
Në vend se të damkosin aktin e tij çakej që mbrojnë interesat e tyre kriminale, kontrata të pista, interesa të dyshimta, mashtrojnë qytetarët me pretendimin se u zgjodh me votat e opozitës.
Por me këtë akt Edi Rama i dëshmoi opozitës dhe çdo shqiptari se asnjë lloj bashkëpunimi ose se, kurrfarë bashkëpunimi, qoftë dhe minimal me të, nuk shërben dhe nuk vlen. Nuk vlen.
E vërteta është që kryesia e Partisë Demokratike vendosi të ndërpritet çdo lloj bashkëpunimi me narko parlamentarët socialistë dhe me Edi Ramën. Ndaj dhe ne nuk marrim pjesë në asnjë kandidaturë, emër, do të ishte qesharake.
Edhe ky Avokati i Popullit që nuk mund të them se sa përqind do t’i takonte në përqindjen e pushtetit, ai takonin dy pika apo jo, e mori dhe atë dhe ne të zhvillojmë beteja donkishoteske për ndarjen e pushteteve dhe ekuilibrin e tyre, në një kohë kur ajo është varrosur edhe para këtij. Nuk ekziston. I ka të gjithë pushtetet në dorë.
Së dyti, edhe një herë, siç e ka të qartë çdo shqiptar, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë Edi Ramës licencën e vjedhjeve publike, që të vjedhë publikisht, ishte goditja më e rëndë që ka marrë lufta kundër korrupsionit jo në Shqipëri, por dhe në Evropë.
Me këtë vendim, Edi Rama tregoi se është i aftë t’u diktojë atyre gjykatësve pa dinjitet dhe integritet, çdo lloj vendimi që dëshiron.
I detyroi të heqin masën e sigurisë dhe t’i japin mundësi të prishë çdo provë, të shkatërrojë çdo dokument. Të marrin pushtetin e sistemit gjyqësor tjetër, Apelit dhe Gjykatës së Lartë dhe t’ia rikthejnë Lubinë e tij në krye të detyrës vetëm se kanë vjedhur së bashku, kanë ndarë paratë e tunelit të Llogarasë së bashku.
Me këtë akt, çdo iluzion se mund të bëhet luftë kundër korrupsionit në këtë vend nga sistemi i drejtësisë i kapur gjer në fyt nga Edi Rama, është qesharak.
Asnjë luftë kundër korrupsionit nuk mund të bëhet më. Kontrolli i tij mbi drejtësinë është total. Është e vërtetë që komuniteti ndërkombëtar u përqendrua në zgjedhjen e kreut të Skapit, sepse duket dhe aty i kishte gjithë tentakulat, por absolutisht, asgjë nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë në luftën kundër korrupsionit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Edi Rama u tha shqiptarëve, tani do t’u vjedh publikisht.
Tani nuk kam nevojë të fshihem më. Unë jam qeveri dhe bëj ç’të dua me fondet tuaja, me pasuritë tuaja.
Para se të vija këtu, të dashur deputetë, lexova vendimin ku 20 prona që shkonin qindra e qindra hektarë, u janë dhënë klaneve të drogës si paketa malesh në lartësi nga 10 metra nga niveli i detit, shumica 30, 40 metra dhe më i larti 100 metra.
Alpet e Maminasit, vargmalet e Rubjekës, e Shetelit, po kjo sepse ka humbur çdo formë vetëkontrolli apo vetëdije se ligjet duhet zbatuar.
Pra tani narkotrafikantët i thanë atij jo jo, atje në male nuk shkojmë se s’kemi rrugë, s’kemi këto, i duam këtu, rreth bregdetit dhe i morën të gjitha. Me prestanome.
Banka offshore e Bitcoinit që ka për protagonistë kryesorë shqiptarë, Amant Josifin dhe Olsi Ramën, u licencua pas një rezistence disa vjeçare të guvernatorit të Bankës, i cili ka kundërshtuar dhënien e kësaj licence.
Nuk po ndalem më tej, por këto zhvillime janë një kushtrim.
Janë një kushtrim për ndërgjegjen politike të çdo politikani, të çdo demokrati, të çdo qytetari, se çdo orë dhe ditë që kalon konsolidon pushtetin e krimit të Edi Ramës, dhe se krimet e tij shndërrohen në represion ndaj qytetarëve dhe pluralizmit politik në Shqipëri.
Krimet shndërrohen në votë, vota shndërrohet në krim. 20 resorte prej të cilave dhe 135 hektarë njëra, në vargmalet e Shetelit, Rubjekës dhe të Maminasit, janë miliarda euro të botës së krimit të Frank Çopjave, Dritan Rexhepëve, e të tjerë që vijnë këtu, lahen, por natyrisht ushtrojnë terror mbi shqiptarët, ju grabisin votat dhe i përzënë nga vendi.
Në këto rrethana, mbetet rrugë e vetme protesta.
Mbetet rrugë e vetme që çdo deputet, çdo politikan t’i shtrojë vetes pyetjen, çfarë kontributi do japë ai në organizimin, në konsolidimin e një lëvizje permanente protestuese.
Absolutisht asnjë zgjidhje tjetër nuk ka, përveç dorëzimit tonë de facto pa kushte, por ne s’kemi pse dorëzohemi. Jo.
Ne duhet të fillojmë qëndresën dhe protestat tona, të marrim fatin tonë në dorë, qytetarët shqiptarë të marrin fatin e tyre në dorë.
Thirrja ime për ju është secili të t’i shtrojë pyetjen vetes, çfarë mund të bëjë më shumë. Dhe çdonjëri prej neve mund të bëjë shumë më tepër.
Edi Rama qëndron në pushtet sepse ne nuk jemi në rrugë.
Sepse ne nuk jemi në protesta për t’i treguar vendin që u tregohet diktaturave autoritare.
Ne kemi tani çdo të drejtë të qëndrojmë në misionin tonë.
Të nderuar deputetë, është e domosdoshme që në takimet tuaja me qytetarët, t’u bëhet thirrje guximtarëve, t’u bëhet thirrje qëndrestarëve, t’u bëhet thirrje qytetarëve, të mos pranojmë verdiktin që na ka diktuar Edi Rama.
Me fjalë të tjera të mos pranojmë këtë fat që ai na ka diktuar. Nuk e meritojmë ne këtë.
Por të ngrihemi. Në këtë kuadër dita e hënë 22 dhjetor, ora 18:00, është fillimi i protestës sonë. Por duhet të jemi shumë të qartë, ne kemi vetëm një rrugë: protesta, protesta, protesta gjer në largimin e Edi Ramës.
Dhe pa protesta të qëndrueshme dhe të fuqishme, siç kanë faktuar narkodiktaturat apo diktaturat, ato nuk largohen.
Ne jemi shumë dhe do jemi shumë më tepër. Por në radhë të parë nuk ka më të rëndësishme sesa vendimi i secilit prej nesh, çfarë do bëjmë më shumë.
Faleminderit!
Gazeta RD