Zhupa: 48% e fëmijëve nën 18-vjeç në varfëri ekstreme, kalohen vetëm ligje për oligarkët!

Deputetja e PD, Ina Zhupa ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe parlamentit, duke i cilësuar si institucione që punojnë për interesat e një grushti njerëzish dhe jo për qytetarët.

Gjatë fjalës së saj në foltoren para Kryeministrisë, Zhupa ka paraqitur një panoramë të zymtë sociale, duke theksuar se varfëria ekstreme dhe mungesa e shpresës po detyrojnë të rinjtë të largohen masivisht nga vendi.

Duke cituar të dhënat e Eurostat-it, Zhupa deklaroi se 48% e fëmijëve nën 18 vjeç në Shqipëri jetojnë në varfëri ekstreme. Sipas saj, kjo situatë dramatike reflektohet edhe në pamundësinë e familjeve për të përballuar jetesën, madje edhe në muajin e festave.

Ina Zhupa: Të flasësh para jush është një përgjegjësi sepse ju keni zgjedhur që të mos qëndroni, keni zgjedhur të protestoni. Keni zgjedhur që të flisni në emër të atyre mijëra, qindra mijëra shqiptarëve që protestojnë, protestojnë çdo ditë për gjendjen e tyre, por ndoshta ende nuk kanë gjetur kurajon që të bashkohen fizikisht në protestën tonë. Unë përshëndes edhe protestën e aktivistëve Shqipëria bëhet dhe dënoj dhunën policore ndaj tyre, sepse sheshi është për të gjithë, sheshi është për të gjithë protestuesit kundra Edi Ramës, pa asnjë dallim, për çdo opozitar, për çdo qytetar, të bashkohemi sepse është një e keqe e madhe që mund ta luftojmë vetëm të bashkuar dhe pa dallime.

Para meje foli Eliani dhe e dëgjova me shumë vëmendje. Është shqetësimi i mijëra studentëve. Unë jam pedagoge dhe pyetja që i bëra studentëve ishte, sa nga ju doni të ikni nga Shqipëria? Dhe fatkeqësia ishte që të gjithë ngritën dorën. Të gjithë donin të iknin nga Shqipëria, dikush sepse e kishte të pamundur të mjekonte nënën e vet të sëmurë me kancer. Dikush sepse nuk e shikonte të ardhmen këtu si studentë të masterit që janë, për fëmijët e vet. Të gjithë kishin arsye. Askush nuk kishte shpresë për Shqipërinë. Varfëria është ulur këmbëkryq. Ne jemi në muajin dhjetor, jemi në muajin e festave, ku çdo familje normale do duhet të mendonte për një dhuratë për fëmijët, do duhet të mendonte për darkën e festës, por në fakt askush nuk e mendon këtë. Mendojnë se si do të shtyjnë muajin. Mendojnë që nuk kanë pasur kurrë mundësi në jetën e tyre t’i bënin një dhuratë fëmijës. Sipas të dhënave të Eurostat-it, 48% e fëmijëve nën 18 vjeç në Shqipëri jetojnë në varfëri ekstreme.

Dhe kur një parlament nuk bën dot një ligj që t’i garantojë të ardhura familjeve në nevojë, nuk bën dot një ligj për minimumin jetik, që askush në Shqipëri mos të marri nën 200 euro, është një parlament kriminal. Është një parlament i cili punon për interesat e një grushti njerëzve. Është një parlament që vetëm të enjten e kaluar kaloi amnistinë fiskale për të falur miliona euro të atyre që kanë bërë biznes me qeverinë, ato miliona euro që mund të ishin në shërbimin tuaj, në shërbim të shëndetësisë, në shërbim të bursave të arsimit, në shërbim të familjeve në nevojë. Imagjinojeni miq që një fëmijë jetim merr vetëm 60.000 lekë të vjetra në muaj. Është e pamundur të mbijetojë. Imagjinojeni që keni pensione të cilat shkojnë nga 50.000 lekë të vjetra në fshat e deri në 100.000 lekë. Është e pamundur. Gjithçka është vlerësuar dhe asnjë para nuk shkon për qytetarët. Kemi që në shtator që jemi mbledhur në kuvend dhe nuk kemi miratuar një ligj që t’i shërbejë interesit të qytetarëve.

Kalohen vetëm ligje për oligarkët. Propozon Partia Demokratike mocion me debat për skandalin tek onkologjiku, e rrëzojnë ata. Propozon Partia Demokratike amendamente për buxhetin. Kam propozuar personalisht amendament për oficerët në shkolla, për sigurinë në shkolla. Po na vrasin fëmijët në shkolla. Vrasja e fundit ishte 15 vjeçari në Durrës, në dyert e shkollës. Nuk e miratojnë. Janë sa 1 e 100 e tunelit të Llogarasë dhe nuk e miratojnë. Nuk miratojnë asgjë që çon para tek mësuesit, tek fermerët. Zona ime, unë jam deputete e qarkut të Vlorës, dhe zona ime është përmbytur dhe është djegur.

Vetëm në gjashtë muaj Delvina është shkrumbuar dhe më pas është përmbytur. Po si Delvina dhe Finiqi dhe Saranda, zero, asnjë lekë. Që nga qershori e deri tani. Bëmë amendament në kuvend për t’u dëmshpërblyer ata njerëz, për t’i vënë një faturë financiare dhe nuk e miratuan. Nuk kanë para. Nuk ka para buxheti i shtetit për qytetarët.

About Redaksia

Check Also

Eksodi nuk ndalet, kryesisht i të rinjve!

Migracioni vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore që formëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Sipas …