Bardhi: Rama pengon drejtësinë, Këshilli i Mandateve të mblidhet urgjentisht për Ballukun!

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet 1 orë e më parë për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Bardhi denoncoi një akt të paprecedent nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, të cilin opozita e sheh si një urdhër politik të Edi Ramës për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin.

Opozita thekson se çdo vonesë cenon hetimet, prish provat dhe intimidon dëshmitarët, ndërkohë që kërkesa e SPAK mbështetet në rreth 80 prova të ndara në disa volume, për të cilat nuk ka asnjë dyshim për bazën ligjore të akuzës.

Gazmend Bardhi: Të dashur bashkëqytetarë, së bashku me kolegët, anëtarë të Këshillit të Mandateve, duam përmes këtij komunikimi publik të dënojmë me forcë aktin e paprecedent që kryetari i kuvendit, me urdhër politik të Edi Ramës, bëri gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, gjatë shqyrtimit të kërkesës për t’i dhënë Prokurorisë së Posaçme autorizimin për të kërkuar në gjykatë arrestimin e zëvendëskryeministres, ministres së infrastrukturës dhe deputetes Belinda Balluku.

Si në asnjë rast tjetër, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ka shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve pa caktuar një afat se kur ky këshill do të marrë në shqyrtim dhe do t’i hapë rrugë miratimit nga seanca plenare të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e zëvendëskryeministres. Ky është një akt politik i urdhëruar nga Edi Rama për të penguar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin e tij, të zëvendëskryeministres dhe të qeverisë së tij.

Si anëtarë të Këshillit të Mandateve, përfaqësues të opozitës, kemi kërkuar dhe kërkojmë me forcë mbledhjen një orë më parë të Këshillit të Mandateve për të miratuar kërkesën e prokurorisë.

Bashkëndajmë shqetësimin që prokurorët e posaçëm informuan dje në kuvend se çdo ditë në liri e Belinda Ballukut nënkupton cënim të hetimeve, prishje të provave dhe intimidim të dëshmitarëve. Për herë të parë do të dua t’i informojmë opinionin publik se kërkesa e prokurorisë, përveçse është argumentuar ligjërisht, mbështetet nga një numër i konsiderueshëm provash, rreth 80 prova të ndarë në disa volume, në mijëra faqe, që provojnë atë që në fakt është e vetmja detyrë që ka kuvendi, të kontrollojë nëse është apo jo një akuzë politike dhe kërkesa e prokurorisë provon përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se kërkesa është e mbështetur ligjërisht dhe nuk ka asnjë të dhënë për akuzë politike. Siç jeni në dijeni, prokuroria e posaçme ka marrë të pandehur zonjën Balluku për tenderin e tunelit të Llogarasë.

E ka person nën hetim për një nga lotet e Unazës së Tiranës, ndërkohë që në kërkesën e sjellë në kuvend, sqaron se e ka nën hetim edhe për nëntë procedura të tjera, ku përfshihen gjashtë procedurat për lotet e Unazës së Tiranës, koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar dhe dy procedura prokurimi për mirëmbajtje rrugësh. Të dashur shqiptarë, nuk bëhet fjalë për procedura mijëra euro.

Totali i të 11 procedurave të prokurimit korruptive për të cilën akuzohet qeveria e Edi Ramës, ka vlerën e mbi 1 miliardë euro. Dhe ky është rasti i parë ku një zyrtar i lartë, i cili akuzohet për korrupsion në 11 procedura, që ka paracaktuar çdo fitues, që ka caktuar se ku do të shkojnë paratë e fituara, ku ka zbatuar me prova të prokurorisë porositë e kryeministrit për të shpërblyer njërin apo tjetrin, tentohet të zvarritet, tentohet të blihet kohë, dhe tentohet të pengohet drejtësia. E kemi thënë dhe dje gjatë mbledhjes, parlamenti ka një procedurë standarte tashmë, të kohës së arsyeshme brenda të cilës shqyrton kërkesat e Prokurorisë së Posaçme.

Këshilli i Rregullores dhe Mandateve është mbledhur gjithmonë në të gjitha rastet brenda 48 orëve. I ka dhënë kohë personit ndaj të cilës, ndaj të cilit ngrihet akuza nga prokuroria 48 orë, maksimumi 72 orë, dhe më pas, brenda 72 orëve të ardhshme, ka miratuar kërkesën në seancë plenare. Ky është rasti i parë ku mbyllet një mbledhje e Këshillit pa caktuar një mbledhje tjetër. Dua të ndaj me opinionin publik edhe një detaj se çfarë ndodhi dje në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

Të vetmit avokatë të interesit publik në atë sallë ishin pesë përfaqësuesit e opozitës dhe prokurorët e çështjes. Ndërkohë që pala kundër nesh ishin avokati i Belinda Ballukut dhe pesë përfaqësuesit e mazhorancës, duke nisur nga kryetari i Kuvendit e duke vijuar me kryetarin e grupit e me radhë, kolegët e tjerë të mazhorancës, të cilët në gjashtë orë diskutime, në asnjë moment të vetëm, nuk ishin zëdhënës të interesit publik, por ishin avokatë të mirëfilltë të Belinda Ballukut. Dhe absurdi arrinte deri aty sa thoshin, ne nuk duam kohë për shqyrtim, po kemi hallin si do t’i shqyrtojë letrat Belinda.

Madje avokati kërkonte tre javë kohë, ta thoshin t’i japim katër javë kohë. Një sjellje e tillë e papërgjegjshme, sigurisht që ka një urdhër me prapavijë politike pas saj, është urdhri i Edi Ramës për të penguar drejtësinë, është tmerri i Edi Ramës sepse drejtësia i ka shkuar në paradhomën e tij, dhe është frika e Edi Ramës nga ajo që Belinda Balluku di dhe mund dhe provon se urdhrin për të ndarë çdo procedurë prokurimi, për të caktuar dhe paracaktuar çdo fitues në çdo prokurë, në çdo procedurë prokurimi, ka qenë i Edi Ramës.

Dua gjithashtu t’ju informoj se gjatë orëve të pasdites, pas mbledhjes së djeshme, të pestë anëtarët e opozitës, kanë marrë atë që në fakt duhet ta merrnin që ditën menjëherë, thotë ligji, me mbërritjen e kërkesës, kanë marrë dosjen e plotë të sjellë nga Prokuroria. Pasi për pesë herë gjatë mbledhjes u tentua nga përfaqësuesit e mazhorancës të intimidoheshin prokurorët që të pohonin në seancë që deputetët nuk mund t’i marrin materialet, po Belinda po. Unë dua të vlerësoj integritetin e jashtëzakonshëm që treguan të tre prokurorët dje në seancë, duke pohuar atë që ligji thotë, që deputetët kanë të drejtë, duke ruajtur sekretin hetimor, të njihen me dosjen e plotë të prokurorisë.

E në përfundim të kësaj fjale hyrëse, dua t’i bëj thirrje Edi Ramës, të heqë dorë nga pengimi që po tenton t’i bëjë drejtësisë, të heqë dorë nga tentativa e tij për të marrë peng drejtësinë, të heqë dorë nga avokatia ndaj të korruptuarës Belinda Balluku, të heqë dorë nga çdo manovër për të sulmuar drejtësinë me shpresën se do të shpëtojë prej saj. Faktet tashmë ndodhen jo në një dosje, por në disa dosje. Fatin e tij në raport me përgjegjësinë përpara ligjit e ka përcaktuar vetë.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Në mënyrë antikushtetuese, opozitës nuk i lejojnë Komisionet Hetimore Parlamentare!

Kreu i PD, Sali Berisha theksoi se, opozitës po i mohohet pjesëmarrja në Komisionet Hetimore …